8 Maji në prag, analistët në Top Show

05/05/2011 00:45

Analistë dhe gazetarë të njohur në mediat televizive dhe të shkruara në Shqipëri, vetëm 3 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve për pushtetin vendor, analizuan në Top Show rrjedhën e fushatës së mbajtur nga të dyja kampet e politikës shqiptare.

Duke e parë nga një këndvështrim i përgjithshëm këtë fushatë, kryeredaktori i gazetës “Shqip”, Aleksandër Çipa, tha se kjo fushatë është karakterizuar nga një dhunë e pashembullt në krahasim me fushatën e 2007-s dhe 2009-s.

Ndërsa duke folur për fushatën e opozitës, zoti Çipa tha se ajo nisi si një fushatë politike, por përfundoi si një fushatë vendore. Ai komentoi edhe rolin që do të luajnë ngjarjet e 21 janarit në këto zgjedhje dhe solli kritikat në dy raportet paraprake të OSBE-OHIHR.

“Kjo fushatë nisi politike dhe përfundoi vendore për Partinë Socialiste. 21 janari do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Për zgjedhjet dhe përgatitjet e tyre kemi kritikat paraprake të OSBE/ODIHR që janë substanciale”, tha zoti Çipa.

Ndërsa, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari vlerësoi figurën e Bashës dhe mënyrën e bërjes fushatë prej tij. Sipas Rakipllarit, Basha është një figurë që shkon përtej rrethit politik të Partisë Demokratike.

Fushata e Bashës u vlerësua edhe nga drejtori i revistës “MAPO”, Henri Çili. Çili tha se është prodhuar një figurë e re në politikën shqiptare.

“Fushata e Bashës ka qenë një surprizë e këndëshme. Basha rrëzoi shumë prej paragjykimeve që i ishin paravendosur. Është prodhuar një figurë e re me një dimesion mbi një politikan normal. Projekti i Bashës krijon premisa për moment të ri në pushtetin lokal në Shqipëri, dimensioni i parë duhet të ndajmë mbivendojsen midis pushtetit lokal dhe qendror”, tha Çili.

Top Channel