Rama prezanton “paktin” në Elbasan

04/05/2011 17:20

Kryetari i PS, Edi Rama ka prezantuar pasditen e sotme në Elbasan paktin e Aleancës për të Ardhmen me qytetarët.

Pasi ka prezantuar kandidatin e PS, Qazim Sejdini, Rama ka deklaruar se ky pakt do të sjellë zhvillim ekonomik dhe social për të gjitha zonat e vendit.

“Dje, bashkë me Qazimin u angazhuam për një pakt qytetar, që është angazhimi ynë për 4 vitet e ardhshme që do ndryshojnë rrënjësisht Elbasanin, Tiranën, Korcën, Fierin dhe ato qytete që më 8 maj do clirohen me votë”, ka deklaruar Rama.

“Pakti ynë parashikon lehtësimin fiskal për cdo biznes, nxjerrjen e të rinjve nga papunësia dhe futja e tyre në rrugën e punës qytetare. Do angazhohemi për zhvillimin e tyre profesional, për një jetë më të mirë dhe më të sigurtë. Gjithashtu, ne do t’i heqim të gjitha tatimet e qeverisë mbi biznesin e vogël dhe do të bëjmë zero TVSH-në për ilacet, bukën qumshtin dhe vezën”, ka saktësuar Rama.

Prioritet tjetër sipas kreut të PS do të jetë ndihma për të pastrehët, për të sapolindurit, si dhe bursa e ekselencës për studentët e shkëlqyer.

“50% të qerasë së të gjithë atyre që kanë nevojë për një strehë do ta garantojmë ne, ashtu sikurse do garantojmë kredi për të gjithë të pastrehët. Ndihma për fëmijët në nevojë do shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Për cdo bebe që lind do ketë një cek, për të gjithë nxënësit e shkëlqyer do ketë bursë ekselence. Të gjithë së bashku të ndërtojmë një plan të zhvillimit ekonomik e social, që të zgjidhë edhe cështjen e pronësisë mbi tokën”, ka premtuar Rama.

Ndërsa nga ana tjetër, ka vijuar ai, është rruga qorre e kusarisë dhe matrapazllëkut, “të cilën Elbasani nuk mund ta pranojë, duke refuzuar Saliun e Tiranës dhe Saliun e Elbasanit”.

Më pas kryesocialisti ka zbritur mes entuziazmit në një qytet që deri tani konsiderohet një bastion i të djathtës, Kavaja.

Sipas kreut të PS ka ardhur momenti që Shqipëria të kalojë hendeqet politike që e kanë ndarë gjatë gjithë kësaj kohe dhe t’i hapë rrugë njerëzve që e përfaqësojnë më mirë dhe punojnë vërtetë për të.

Vota për Elvis Rroshin në Kavajë sipas kryesocialistit është një votë për një kandidat pa teser partie, por me teser qytetarie.

Nga Kavaja, Rama është ndalur në Durrës, në një miting të madh në mbështetje të kandidatit, Vangjush Dako.

Lideri i opozitës e cilësoi 8 majin si momentin e kthesës ku shqiptarët do t’i japin fund epokës së qeverive që mendojnë vetëm për xhepat e tyre e jo për qytetarët.

Për Ramën, kandidati Dako është siguria për një të ardhme përtej dështimeve mashtrimeve, korrupsionit dhe vrasjeve të qeverisë aktuale.

Top Channel