Berisha: Durrësi, gjenerator i punësimit

04/05/2011 19:35

Kryeministri Sali Berisha ishte pasditen e sotme në Durrës, ku ka ftuar qytetarët lokalë që të votojnë kandidatin e PD, Ferdinand Xhaferri.

“Durrësi do ketë një kryetar të ri të bashkisë, Ferdinand Xhaferrin. Programi i tij për Durrësin e këtij shekulli do mbështetet me të gjitha potencialet nga qeveria shqiptare”, ka deklaruar Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri ka premtuar se do ta kthejë Durrësin në një gjenerator gjigand për krijimin e vendeve të punës për mbarë shqiptarët.

“Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferrin do hapë rrugën për krijimin e mijëra vendeve të punës, në turizëm, arsim dhe të gjitha fushat”, ka pohuar Berisha, i cili ka premtuar gjithashtu investime masive në infrastrukturë.

“Do ta bëjmë Durrësin qytetin me infrastrukturën më moderne në Shqipëri. Gjatë këtij mandati do asfaltojmë cdo rrugë dhe rrugicë, cdo shesh të këtij qyteti dhe do ndërtojmë këtu bulevardin Durrës-Kamëz. Gjithashtu, do t’i sigurojmë Durrësit 24 orë ujë”, ka theksuar Berisha.

Prioritet tjetër sipas liderit të mazhorancës do të jenë arsimi, industria e qytetit bregdetar dhe trashëgimia e tij kulturore.

“Vota juaj do jetë për Durrësin universitar, për Durrësin industrial, për potencialet e jashtëzakonshme, trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore të qytetit dhe energjitë krijuese të qytetarëve të Durrësit”, ka shtuar Berisha.

Top Channel