Berisha: 8 Maji, dita e Europës

04/05/2011 23:35

Mitingu përmbyllës i fushatës elektorale në Durrës, ku Aleanca për Qytetarin përfaqësohet me ish-Ministrin e Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, ishte një rast tjetër që ai të shpaloste para bashkëqytetarëve premtimet kryesore të programit të tij. (UPDATE)

Ndërtimi i unazës së Durrësit, ndërtimi i rrugës Durres-Kallm, që të con në plazhe ende të pashfrytëzuara, rindërtimi i infrastrukturës moderne të qytetit dhe disa projekte të tjera për amfiteatrin e qytetit, që do të zhvillojë turizmin përgjatë gjithë vitit, janë premtimet, që sipas zotit Xhaferraj do të kthehen ne realitet, nëse Durrësi e votëbeson më 8 Maj.

Kandidati i koalicionit Aleanca për Qytetarin nuk shmangu krahasimin me rivalin socialist, që rikandidon për një mandat të dytë.

“4 vite më parë Vangjush Dako do të premtonte zhvillimin e qytetit, por në 4 vite qytetarët tanë pane se u zhvillua vetëm firma e tij e betonit, u zhvillua duke dëmtuar qytetin. Vangjush Dako është e shkuara aksidentale e qytetit tonë. Ne e dimë se realizimi i projekteve tona është i vështirë, por kemi besim se do t’i realizojme dhe do t’i realizojmë. Kemi pasionin, dëshirën, ndershmërinë dhe energjinë për ta bërë qytetin tonë një qytet më të mirë për gjeneratën tonë dhe brezin e fëmijëve tanë”, tha kandidati Xhaferraj.

Në projektin e tij për Durrësin, Ferdinand Xhaferraj u mbështet pa rezerva nga kryeministri Sali Berisha, i cili premtoi ndihmën e qeverisë për të ndërtuar Durresin e standarteve europiane, me infrastrukturë të zhvilluar dhe mundësi reale për punësimin e qytetarëve në qytetin me portin kryesor të vendit dhe potenciale turistike ende të pazhvilluara.

“Vota juaj më 8 Maj është para së gjithash është votë për shndërrimin e Durrësit në një gjenerator gjigant për krijimin e vendeve të punës, jo vetëm për qytetarët e Durrësit, por për të gjithë Shqipërinë”, tha kryeministri.

Në Durrës kryeministri Berisha ftoi qytetarët të bashkohen rreth koalicionit që ai drejton për të ndërtuar në 4 vitet e ardhshme, sic tha ai, europën në familjen e cdo shqiptari.

“8 maji është dita e Europës, e ëndrrës suaj europiane. Më 8 Maj kjo kryeurë e përjetshme e kombit shqiptar me perëndimin do të votojë blu, do të votojë Ferdinand Xhaferrin, do të votojë të ardhmen e tij”, deklaroi Berisha.

Nga Durrësi, kryeministri Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të marrin pjesë masivisht në votime për t’i dhënë fitoren jo vetëm Partisë Demokratike, por edhe për të dhënë kontributin e tyre në konsolidimin e demokracisë shqiptare. 

Top Channel