Rama nënshkruan paktin me qytetarët

03/05/2011 18:20

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka nënshkruar një pakt qytetar të “Aleancës për të ardhmen” në të cilën grupoheshin në tre pika (punësim, familje dhe e ardhmja) një sërë premtimesh që kreu i PS-së garantoi t’i përmbushë në katër vitet e ardhshme.

Ndër premtimet kryesore të paktit ishin krijimi i 300 mijë vendeve të punës, lehtësira të forta fiskale për çdo biznes, mbështetje financiare për hapjen e bizneseve të vogla, të drejta të garantuara për çdo nëpunës, heqjen e taksave për të gjitha kategoritë në nevojë, përgjysmim të TVSH-së, 50% e qerasë ose kredi të buta për të pastrehët, qendra sociale për pensionistët dhe gratë në nevojë, çeku i bebes dhe një pemë e re për çdo fëmijë që lind, bursë bashkiake për çdo nxënës të shkëlqyer, 100% rrugë të shtruara dhe transport publik i standardeve evropiane, plan të integruar zhvillimi urban dhe zgjidhje të çështjes së pronësisë mbi tokën.

“Në cilësinë e kryetarit të ‘Aleancës për të ardhmen’ angazhohem që të përmbush këto pika brenda katër viteve të ardhshme, jo thjesht si kryetar i bashkisë, as i PS-së, por si një shqiptar që e dua të ardhmen e këtij vendi”, tha Rama, duke folur në takimin me kandidatët për kryetar bashkie dhe komune në Pallatin e Kongreseve.

Kryetari i PS-së ka vënë theksin tek taksat e larta që qytetarët dhe biznesi i paguajnë qeverisë, të cilat janë 70 herë më të larta në krahasim me tre taksat që i janë paguar bashkisë së Tiranës.

“Qytetarët paguajnë vetëm 550 lekë në muaj për të gjitha punët e mëdha, ndërkohë që një pensionist paguan vetëm 8.3 lekë në muaj, një familje në ndihmë ekonomike vetëm 8.3 lekë në muaj, ndërsa invalidët dhe të verbërit 0 taksa. Nga ana tjetër çfarë u paguajnë qytetarët e Tiranës atyre që bëjnë sikur u qajnë hallin, por përditë i detyrojnë me taksa e detyrime. Një familje e zakonshme i paguan qeverisë 35 mijë lekë të reja në muaj. Pra 70 herë më shumë për qeverinë sesa bashkinë. Ndërsa me taksat e bashkisë ndërtohet përditë qyteti, me taksat e qeverisë bëhemi gjithnjë e më të varfër dhe ta papunë, të mbërthyer nga pasiguria”, deklaroi Rama.

Ai ka deklaruar se me ardhjen e PS-së në pushtet, do të hiqet çdo taksë abuzive e vendosur në emër të bashkisë.

“Në fund do ta mbyll me një lajm: çdo taksë që qeveria e Saliut i ka shtuar biznesit të vogël duke e dezinformuar sikur e ka vënë bashkia, ne do ta heqim në sekondën e parë kur të vijmë në qeveri”, u shpreh kreu i PS-së.

“Vota është vendimtare për të ndarë këto dy rrugë dhe dy vizione të ndryshme se çfarë është vendi ynë dhe se si mund të zhvillohet ai. Më 8 maj të gjithë do ta kenë të qartë se ende sot, pas gjithë këtyre ditëve, Saliu nuk është në gjendje të na tregojë një qytet, një komunë, të na thotë ky është modeli ynë, shikojeni”, theksoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA