Jahjaga: Do të zbardhim fatin e të pagjeturve

28/04/2011 10:30

Në kujtim të Ditës së të Pagjeturve në Kosovë, Presidentja e Republikës
Atifete Jahjaga vizitoi fshatin Mejë, ku zhvilloi një takim me
familjarët e të pagjeturve, të cilëve u premtoi angazhimin e saj dhe të
gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për të zbardhur sa më
parë fatin e të gjithë personave të pagjetur.

”Kam ardhur këtu në Mejë të ndaj sadopak dhimbjen me ju për më të afërmit tuaj që u vranë në Masakrën më të madhe të luftës në Kosovë. Jam në dijeni se këtu u mblodhën njerëzit nga Gjakova dhe fshatrat përreth, se këtu u pushkatuan pa mëshirë duke u ndarë nga kolonat e refugjatëve, duke u ndarë prindi nga fëmijët, duke u ndarë fëmija nga nëna. Ishte ky një plan i regjimit okupues të Serbisë, që të na shkaktonte sa më shumë dhimbje”, theksoi me këtë rast Presidentja Jahjaga, ben te ditur RTK.

Presidentja Jahjaga tha më tej se Kosova, lirinë dhe pavarësinë ua ka borxh këtyre dëshmorëve që u sakrifikuan për atë që Kosova të qeveriset nga populli i saj, që Kosova të ketë institucione demokratike dhe që Kosova të jetë vend i barabartë dhe i dinjitetshëm i Bashkimit Evropian.

Top Channel