Berisha: Më shumë investime për Dibrën

28/04/2011 10:35

Kryeministri Sali Berisha duke prezantuar kandidatin e Aleances per
Qytetarin, Ilir Krosi per bashkinë e Peshkopisë, premtoi përmirësim të
infrastrukturës në të gjithë rrethin e Dibrës.

Shefi i qeverisë duke falenderuar qytetarët e kësaj zone për mbështetjen e dhënë, premtoi lidhjen e të gjithë komunave të Dibrës me akset kombëtare, si dhe përfundimin e rrugës së Arbrit.

“Në 4 vitet që vijnë do të garantojmë ujë 24 orë për Peshkopinë, fshatrat dhe komunat rreth saj. Shumë herë më tepër do të investojmë në vitet e ardhshme. Dibra po shndërrohet në një epiqendër të fuqishme të zhvillimit rajonal”, u shpreh Berisha.

Duke folur për ekonominë shqiptare, Berisha deklaroi se edhe përse bota kaloi krizë financiare, qeveria ia doli që të rrisë pagat e pensionet. Po ashtu kryeministri theksoi arritjet e qeverisë si anëtarësimin në NATO dhe realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonën Shengen.

Top Channel