Topi: Zgjedhjet pa shumë alternativa

27/04/2011 15:00

Kur kanë mbetur vetëm 11 ditë nga procesi zgjedhor, Presidenti Bamir
Topi ka shprehur disa shqetësime në lidhje me ecurinë e fushatës
posacërisht për pjesëmarrjen e ulët të grave në listat e kandidatëve,
cilësisë së përfaqësimit dhe tregtimin e votës.(UPDATE)

“Në këto zgjedhje kemi shumë subjekte elektorale, disa parti të reja,por krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007, për shkak të sistemit të ri zgjedhor, kemi rënie drastike të kandidatëve të pavarur apo alternativave lokale politike. Në anën tjetër po me shqetësim kemi konstatuar një numër kandidatësh nominalë me probleme në identitetin politik dhe në cilësitë e përfaqësimit. Informacionet për premtime në shkëmbim të votës, tregtim të votës, presioneve administrative për votë partiake apo forma të tjera abuzimi me votën, megjithëse sporadike, nëse jetësohen përbëjnë akte ta padenja dhe të papranueshme”, tha Topi.

Këto shqetësime kreu i shtetit i ka bërë publike gjatë një takimi që pati me me përfaqësues nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë  dhe ambasadoreve te Shteteve të Bashkuara, ambasadorit te Komisionit Europian dhe atij te prezences se OSBE-se. Presidenti i  ka dërguar një mesazh të gjitha partive politike dhe kandidatëve duke i ftuar ata t’i largohen sa më shumë praktikave të gabuara të së kaluarës zgjedhore.

“Si President, si politikan dhe si qytetar e njoh dhe e vlerësoj rolin e pazëvendësueshëm të partive politike në një shoqëri demokratike; ato jetësojnë pluralizmin, përfaqësojnë vizionet politike qytetare dhe me votën tonë ushtrojnë qeverisjen politike të vendit. 8 maji nuk është garë midis simboleve, slloganeve, militantëve apo shefave të tyre; partitë dhe kandidatët janë në garë në radhë të parë për të jetësuar sistemin konkurrues demokratik, për të ofruar alternativa zhvillimi dhe modele shërbimi ndaj qytetarëve”, tha Topi.

Më 8 Maj do të jenë 1100 vëzhgues vendorë nga të cilët 900, në kohë reale nëpërmjet internetit do të raportojnë gjithka që ata do të observojnë.

Top Channel