Tahiri: Qytetarët do rikthejnë demokracinë më 8 Maj

27/04/2011 00:05

Nisur nga lëvizjet politike të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës Albert Sanxhaku, nga LSI drejt PS-së e më pas nga kampi socialist drej LSI-së, në fillim të këtij viti,  deputeti socialist, Saimir Tahiri vlerësoi se ashtu si në shumë qytete të tjera, edhe në Lushnje vota e qytetarëve u shtrembërua.

 

Në panelin e Top Show Tahiri ritheksoi edhe njëherë rrugën e opozitës
për të bërë fushatë për zgjedhjet e pushtetit vendor në 8 Maj. 

Zoti Tahiri tha se vendi nuk ndodhet në një situatë normale ku palët të diskutojnë për problematikën e qeverisjes vendore, pasi siç tha ai, “koalicioni i pazareve” po vjedh shqiptarët.

“Në një situatë normale jam dakort që shkohet në zgjedhje vendore për të votuar njeriun dhe projektet vendore, por po të mendosh se Saliu dhe Iliri kanë bllokuar Këshillat e Bashkive duke mos votuar as buxhetin e këtyre bashkive e duke lënë qytetet pa investime, s’mund të shkohet e të flasim për problematikën vendore.

Tahiri tha se pala kundërshtare bën fushatë duke folur për cështjet vendore pasi nuk kanë moral të flasin për problematikën e vendit, për cmimet e rritura e për rritjen e varfërisë. Ai tha se elektorati me votë do të rikthejë më 8 Maj minimumin e demokracisë në vend.

“Saliu dhe Luli në Tiranë kërkojnë të bindin qytetarët se po flasin për cështje vendore, e kanë zgjedhje të lirë të flasin për cështje vendore apo të detyruar? Mendoj që e kanë të detyruar sepse s’kanë për cfarë të flasin tjetër. Qytetarët do votojnë për të rikthyer minimumin e demokracisë në ktë vend, për t’i dhënë fund korrupsionit shtetëror”, tha deputeti Tahiri.

Top Channel