Kasetat, PS padit KQZ në Kolegj

27/04/2011 19:40

Cështja e shumëdebatuar ditët e fundit për mbulimin e fushatës elektorale nga televizionet, mbërrin në Kolegjin Zgjedhor.

Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafaj ka depozituar një kërkesë-padi ndaj Komisionit Qëndror të Zgjedhjve, ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi i KQZ-së sipas të cilit janë subjektet zgjedhore që përcaktojnë mënyrën e ndarjes së kohës televizive mes kandidatit dhe subjektit, ndërsa operatorët radio-televizivë janë të detyruar të respektojnë pasqyrimin e fushatës sipas ndarjes së përcaktuar nga subjekti zgjedhor.

Ky veprim i KQZ-së, sic rezulton nga përmbajtja e tij dhe procesverbali i seancës, thuhet në kërkesë-padi, është marrë me një shumicë të votave pro prej vetëm katër antarëve të KQZ-së, duke votuar kundër anëtarët e tjerë.

Vendimi i KQZ-së është miratuar nga katër dhe jo të pestë antarët, sic e kërkon neni 24 pika D e Kodit Zgjedhor.

Sipas socialistëve, mënyra e miratimit bie ndesh në mënyrë flagrante me ligjin, pasi shkelen disa nene të Kodit Zgjedhor.

Kërkesë-padia shkon më tej duke e akuzuar KQZ-në se ka urdhëruar ndryshime në Kodin Zgjedhor, tagër të cilin e ka vetëm Kuvendi i Shqipërisë.

“KQZ-ja nuk mund të ndërhyjë në vullnetin e subjekteve zgjedhore në mënyrën e organizimit të fushatës së tyre dhe paraqitjen e saj në media”, thuhet aktpadi.

Po për këtë vendim të KQZ-së ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që e quan atë të pavlefshëm dhe si një cënim të lirisë së mediave dhe domosdoshmërisë së përgatitjes vetë të lajmeve në mënyrë profesionale e me paanshmëri.

Ndërsa për materialet filmike të parapërgatitura nga partitë politike që nuk lejojnë gazetarët të marrin pjesë në aktivitetet e tyre, Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se kjo mënyrë do të dhunonte lirinë e medias dhe do të ndikonte për të përcjellë tek publiku informacion të njëanshëm.

Top Channel