SMS-të e Bashës, Komisionerja: U shkel privacia

26/04/2011 15:15

Komisionerja për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Flora Cabej deklaroi
se po shkelet Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave, kur politikanët dërgojnë
mesazhe në telefonat e qytetarëve pa autorizimin e këtyre të fundit.

“Padyshim që është shkelje e ligjit sepse askush nuk ka të drejtë pa autorizim. Qytetarët kur nënshkruajnë kontratën me kompaninë e tyre duhet të japin autorizimin nëse duan që të përdoren të dhënat e tyre për qëllime të tilla apo jo”, tha Cabej.

Zonja Cabej tha se institucioni që ajo drejton është vënë në lëvizje për të marrë masa ndaj operatorëve që kanë lejuar përdorimin e të dhënave vetjake, edhe pse pranon se sanksionet që parashikon ligji nuk janë eficente.

“Ne nuk kemi pasur ankesa nga qytetaret per këtë ceshtje. Ne u vumë në lëvizje nga mesazhet që na kanë mbërritur në telefonat tanë. Kemi inspektuar, rekomanduar, gjobitur operatorë, pasi duhet të veprojnë në përputhje me ligjin”, u shpreh komisionerja.

Opozita ka akuzuar kandidatin demokrat për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha se po keqpërdor të dhënat personale, pasi nën firmën e tij shumë qytetarë kanë marrë mesazhe elektorale e madje edhe urime për ditëlindje, e cila nuk klasifikohet si e dhënë publike.

Komisionerja ishte e thirrur ne nje aktivitet nga Dhoma Amerikane e Tregtise.

Top Channel