Rama vijon fushatën në njësinë 7

26/04/2011 19:40

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka vijuar fushatën në njësinë 7, në kryeqytet, gjatë një takimi elektoral tek fusha e aviacionit.

Ai ka theksuar se Tirana është shndërruar në qytetin që ëndërron çdo shqiptar të rrisë fëmijët e tij.

Rama sfidoi më pas kundërshtarët e tij, duke deklaruar se ata nuk kanë asnjë model suksesi që krahasohet me qytetet që janë drejtuar nga PS.

“Tirana është qyteti i çdo qytetari që ëndërron të rrisë fëmijët e tij. Të gjithë fëmijët e kësaj zone janë fëmijë të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, por pavarësisht se nuk do ta harrojnë se nga erdhën, ata do të jenë qytetarë të Tiranës sonë evropiane. Besoj se në çdo gjë që ëndërrojmë projektojmë dhe realizojmë për Tiranën nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se jemi këtu pikërisht për ëndërrat dhe shpresat e këtyre fëmijëve”, tha Rama.

“Kjo ka qenë fusha e vjetër që është shndërruar nga një hapësirë ku ishte shumë e vështirë jetesa, në një zonë ku apartamentet kanë një vlerë të shumëfishuar falë këtij investimi të jashtëzakonshëm që është një vlerë më vete jo vetëm për njësinë, por për të gjithë qytetin. Kemi një shëtitore të re për të gjitha moshat”, theksoi Rama.

“Është e pamundur të mos flasësh për ata që vodhën Shqipërinë dhe më pas vranë që të vazhdojnë që të vjedhin dhe vijnë vërdallë në Shqipëri duke kërkuar votën. Berisha dhe Meta kanë zgjedhur rrugën e dështimit në 8 maj. Le të na tregojnë një qytet apo komunë ku ata kanë sjellë transformime të atilla që të mund të krahasohen me ne dhe t’u thonë qytetarve pse duhet të votojnë për ta”, deklaroi Rama.

Top Channel