Rreziku i “Çernobil 2”.

22/04/2011 18:45

25 vjet më parë ndodhi fatkeqësia bërthamore më e madhe në histori.

Shpërthimi në reaktorin bërthamor të Çernobilit, në Ukrainë, bëri që jo vetëm jeta e një qyteti, por e gjithë botës të ndryshojë përgjithmonë. Një re radioaktive nisi të përhapet me shpejtësi shumë të madhe në kontinentin europian. Megjithëse kemi dëgjuar të flitet shpeshherë për “renë radioaktive”, shumë pak e dinë se çfarë ëshë ajo.

“Reja radioaktive krijohet nga çlirimi në atmosferë i lëndëve radioaktive që ndodhen brenda një reaktori bërthamor. Rasti më tipik është Çernobili”, shprehet Niko Civici, fizikant bërthamor.

Katastrofa atomike e prillit 1986 ka ndryshuar jo vetëm Europën, ajo çliroi pasoja të përmasave historike. Për herë të parë një nga zbulimet më të rëndësishme të historisë njerëzore, energjia atomike, u kthye në një energji vrastare. Niko Civici tregon rrethanat se si ndodhi shpërthimi në Çernobil: “Pati një shpërthim brenda reaktorit kur reaktori ishte në punë dhe me fuqi afër maksimales. E gjithë lënda që ndodhej në reaktor u shpërnda në atmosferë dhe pjesët e avullueshme u shpërndanë në një lartësi shumë të madhe në atmosferë”

Me daljen në atmosferë lënda radioaktive nisi udhëtimin famëkeq nëpër botë. Filimisht u vu re në Bjellorusi, ndërsa Suedia ishte vendi i parë jashtë Bashkimit Sovjetik që dha alarmin për rritjen e nivelit të elementëve rdioaktivë. Në mbështjelljen e të githë Europës nga shtëllungat e tymit atomik nuk bënte përjashtim as Shqipëria, megjithëse në vendin tonë nuk pati pasoja që lidhen drejtpërdrejtë me Çernobilin.

“Reja radioaktive erdhi në Shqipëri dhe në zonat ku ka pasur reshje ato ditë, pati rritje të radioaktivitetit në bimësi”, tregon Civici.

Mbeturinat radioaktive të katastrofës së Çernobilit e infektuan 400 herë më shumë ambientin se sa bomba atomike e Hiroshimës. Rajone të mëdha rreth Çernobilit për një kohë të paparashikueshme do të mbeten të kontaminuara. Atje në fakt nuk duhet të banojnë më njerëz. E gjithë kjo sepse pasojat që ka tek njeriu lënda bërthamore janë të shumta.

Kur shumë njerëz kishin nisur të harronin fatkeqësinë e Çernobilit një tërmet 8.9 ballë në Japoni bëri që të rikujtohet sërish katastrofa bërthamore. Tëmeti më i fuqishëm në historinë e Japonisë dëmtoi rëndë reaktorin nuklear të Fukushimës.

“Ka një ndryshim thelbësor mes Çernobilit dhe Fukushimës. Çernobili shpërtheu duke qenë në punë ndërsa Fukushima nuk ishte në punë dhe nuk pati shpërthim, por ishte çlirim në atmosferë i një pjese të lëndës radioaktive”, shpjegon fizikanti bërthamor.

Ashtu si në Çernobil, edhe nga Fukushima nisi të dalë tym radioaktiv. Në këto kushte shtete të ndryshme nisën të përhapin lajmin se rreziku që vinte nga vendi aziatik ishte shumë i madh. E në këtë mori lajmesh dhe frike nuk bën përjashtim as Shqipëria.

Civici qetëson duke deklaruar: “Unë mendoj se pjesa e lëndës radioaktive e dalë në atmosferë është shumë e vogël dhe pasojat janë lokale. Pjesa e dalë në atmosferë tashmë është shpërbërë dhe nuk ka më rrezik”

Janë të shumta sinjalizimet se tymi radioaktiv ka mbërritur ose mund të mbërrijë së shpejti edhe në atmosferën e vendit tonë. Përkundër këtij alarmi fals, fizikanti bërthamor e mohon praninë jashtë normave të lejuara të izotopeve të jodit 132 dhe ceziumit 137, përbërësit kryesorë dhe vdekjeprurës të resë radioaktive. Të paktën për momentin.

“Sipas matjeve që ne kemi realizuar nuk ka asnjë shtim të nivelit të elementëve radioaktivë në vendin tonë”, përfundon Niko Civici.

Shpërthimi bërthamor në Çernobil si aksidenti më i rëndë që mund t’i ndodhë një centrali atomik ndryshoi politikën energjitike të shumë shteteve. Njerëzit kuptuan se çfarë energjie vrastare mund të dilte nga energjia atomike.

Top Channel