Producent shqiptar në Kanë

21/04/2011 20:10

Një tjetër lajm i mirë për kinematografinë shqiptare.

Për herë të parë, vendi ynë do të përfaqësohet me një producent shqiptar në Festivalin e Kanës, në programin që organizata “European Film Promotion” u dedikon producentëve të rinj e të talentuar.

Është Dritan Huqi producenti shqiptar që do të marrë pjesë së bashku me 24 të tjerë nga Europa në programin e quajtur “Producers on the move” gjatë Festivalit Ndërkombëtar të filmit që do të zhvillohet në Kanë, në muajin maj.

Për disa ditë, producentët do të vendosen në qendër të vëmendjes së industrisë ndërkombëtare të filmit dhe shtypit të huaj, bën të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp Organizata Promovuese e Filmit Europian.

Producentët do të diskutojnë mbi ide, planifikime financime për projekte ndërkombëtare si dhe bashkëprodhime të mundshme.

Dritan Huqi është mes të tjerash producent i filmit “Shqiptari”, “Muajt e Mjaltit”, “Gjallë”, e “Ne dhe Lenini”.

Top Channel