Rritja ekonomike ushqen të pasurit

16/04/2011 15:40

Rritja ekonomike është një nga argumentat më të preferuar të qeverive sa herë që duan të japin në publik mesazhin se ekonomia po zhvillohet dhe mirëqënia e qytetarëve po rritet.

Në të vërtetë, shifra e rritjes ekonomike tregon rritjen e të ardhurave kombëtare në tërësi. Por i vetëm ky tregues nuk mjafton për të parë nëse a po përfitojnë të gjithë qytetarët nga rritja e mirëqënies.

Në Shqipëri, të dhënat se si është e shpërndarë pasuria mes shtresave të popullsisë kanë qenë të pakta.

Por disa tregues të fundit të Bankës Botërore dëshmojnë se jo të gjithë po përfitojnë në të njëtën masë nga rritja ekonomike.

Në vitin 2002, të pasurit që zinin 10 për qind të popullsisë përfitonin rreth 22 për qind të gjithë pasurisë kombëtare.

Por që nga ajo kohë, pjesa që kjo shtresë e pasur zotëron është rritur, madje me ritme të shpejta. Sipas të dhënave të Bankës, i njëjti grup të pasurish në Shqipëri zotëronte në fund të vitit 2008 plot 29 për qind të totalit të të ardhurave kombëtare.

Kjo do të thotë se në cdo 100 lekë pasuri kombëtare, 29 lekë zotërohen nga vetëm 10 për qind e popullsisë. Nga ana tjetër, pjesa e pasurisë që zotërohet nga të varfërit që sot janë sa 10 për qind e popullsisë, jo vetëm nuk është rritur, por ka rënë nga 3.9 për qind në vitin 2002, në 3.5 për qind në 2008.

Arsyet janë disa dhe njëra prej tyre mund të jetë edhe taksa e sheshtë. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2008 Shqipëria ishte ndër vendet me pabarazinë më të thellë në rajon.

Të gjithë këto të dhëna dëshmojnë se rritja ekonomike po shoqërohet me thellimin e pabarazisë, ku të pasurit bëhen edhe më të pasur, ndërsa pjesa e të varfërve tkurret nga viti në vit.

Top Channel