Rama, fushatë në Laprakë

16/04/2011 19:05

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka vijuar fushatën elektorale në zonën e Laprakës në kryeqytet, ku në mitingun e organizuar e ka vënë theksin tek transformimi që sipas tij pushteti vendor i ka bërë kësaj lagjeje.

“Jemi të lumtur për atë që kemi bërë për Laprakën, që ka pësuar një transformim rrënjësor, që i jep mundësi familjeve të zonës të ndihen banorë të Tiranës në të gjitha drejtimet. Të ndihen banorë të kryeqytetit, që tashmë e ka integruar Laprakën me rrugën, ndricimin, gjelbërimin dhe e kanë bërë përmes transportit të rinovuar cështje minutash lidhjen e saj me qendrën e kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.

Ai është shprehur se investimet e bëra nga bashkia e Tiranës e kanë kthyer Laprakën në qendrën dytësore të Tiranës.

Kryebashkiaku ka nënvizuar se politika e zbatuar nga dikasteri i tij nuk bën dallime politike tek qytetarët, ndryshe nga qeveria, që sipas tij ndëshkon këdo që ka bindje tjetër politike.

“Ne kemi një politikë tërësisht të re dhe evropiane për një bashkëjetesë qytetare, që nuk i ndan qytetarët në blu e në rozë, në familje që janë me ne apo kundër nesh, por që i bashkon të gjithë nën flamurin e interesave publike, që është modeli i së ardhmes e i zhvillimit”, ka pohuar Rama.

Më tej kreu i PS ka hedhur akuza ndaj qeverisë se po zhvat bizneset përmes taksave të vendosura, si dhe me nismën e saj për vendosjen e taksave fiskale. Ndërkohë që PS, sipas tij, ofron një alternativë tjetër.

“Ky është dallimi i madh, këtu ndahen qartazi rruga e tyre dhe rruga jonë, që është rruga e bashkëpunimit me cdo qytetar”, ka nënvizuar Rama, i cili ka ftuar qytetarët që më 8 maj të votojnë rrugën e ndryshimit.

“Sot ka 1 milion të papunë dhe korrupsion, padrejtësi e varfëri. Sa shumë qytetarë shkarkohen nga puna e përballen me cmimet e rritura, ndërkohë që xhepat e qeveritarëve mbushen përditë. Më 8 maj të shkojnë të gjithë në votim për të hapur rrugën e zhvillimit dhe mirëqënies”, ka shtuar Rama, i cili ka prezantuar edhe Naim Asllanin si kandidat për njësinë bashkiake të Laprakës.

“Ai është drejtori i suksesshëm i transformimit rrënjësor që ne i bëmë asaj fushe që shpërndante helm në të gjithë Tiranën. Ndërsa sot është prodhuese e energjisë për kryeqytetin. Ne s’kemi nevojë për plehra nga jashtë. Mjafton të përpunojmë mirë mbeturinat tona”, ka shtuar Rama.

Top Channel