Komandot japin gjak për fëmijët talasemikë

16/04/2011 14:45

Nën moton “Një dhurues për një jetë të shpëtuar”, ushtarakët e Repartit të Shpejtë në Berat kanë dhuruar dje gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Sipas “Shqip”, dega e Kryqit të Kuq në Berat, në bashkëpunim me Qendrën e Transfuzionit të Gjakut kanë vijuar dje fushatën e dhurimit vullnetar pranë Repartit të Reagimit të Shpejtë, në Poshnje të Beratit.

Kanë qenë plotë 40 dhurues gjaku, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për dhurim gjaku nga ana e Kryqit të Kuq.

Nga 40 dhurues gjaku që janë bërë pjesë e kësaj fushate, 20 prej tyre kanë qenë oficere femra.

40 dhuruesit e djeshëm kanë qenë punonjës të këtij reparti dhe oficere të larta, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre në ndihmë të këtyre fëmijëve.

20 oficeret e repartit mësohet se kanë shprehur menjëherë iniciativën e tyre për dhurimin e gjakut, sasi e cila do t’i kalojë Qendrës së Transfuzionit të Gjakut pranë spitalit rajonal të Beratit.

Burime pranë Degës së Kryqit të Kuq në këtë qytet bënë me dije dje, se fushata për dhurimin e gjakut u ndal në Repartin e Reagimit të Shpejtë, që ndodhet në fshatin Poshnje, ku janë numëruar 40 dhurues.

Dhurimi i gjakut u realizua në mjediset e repartit, ku fillimisht dhuruesit që shprehën dëshirën ju nënshtruan procedurës për fazën informuese mbi dhurimin e gjakut, ndërsa më pas kanë dhuruar nga 40 gramë gjak.

Kjo fushatë e ndërmarrë nga dega e Kryqit të Kuq synon t’i vijë në ndihmë të sëmurëve talasemikë, kryesisht fëmijëve që kanë nevoja të herëpashershme për gjak.

Pranë Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në këtë qytet prej vitesh janë larguar dhuruesit me pagesë dhe nevojat për gjak mbulohen vetëm nga familjarët e pacientëve.

Problematik mbetet fakti se rastet emergjente mbulohen me vështirësi nga vetë familjarët, pasi në këtë qytet nuk ka më asnjë dhurues me pagesë.

Dhurimet e djeshme kanë shënuar pikun e fushatës së dhurimit të gjakut, pasi oficerët dhe punonjëset e Repartit Ushtarak në Poshnje, repart i cili është i njohur për përgatitjen e komandove që përfaqësojnë vendin tonë në misionet ushtarake në botë, ishin të shumtë në numër.

Top Channel