Bieber refuzon kryeministrin izraelit

16/04/2011 20:25

Përpos suksesit të koncertit në Tel Aviv, baby-star Justin Bieber përfundoi në qendër të një polemike politike.

Popstari 17-vjecar, bëjnë të ditur mediat e huaja, ka refuzuar ftesën për takim të bërë nga kryeministri i Izraelit Beniamin Netanyahu, ku do të merrnin pjesë edhe disa fëmijë të goditur nga predhat palestineze në jug të vendit.

Kjo ndoshta, sepse këngëtari adoleshent nuk donte të përziente performancën e tij artistike me politikën.

Burime nga zyra e shtypit të liderit izraelit thonë se ishte Bieber që kishte kërkuar të takohej me kryeminsitrin dhe këtij të fundit ideja e pjesëmarrjes së fëmijëve nuk i ishte dukur si argument politik.

Por burime pranë këngëtarit mohojnë, duke thënë se ishte kryeministri Netanyahu ai që kishte kërkuar takimin.

Ndërkohë, në faqen e tij në Twitter, Justin Bieber, i shqetësuar edhe nga paparacët që e kishin ndjekur, ka shkruar:

“Doja të shikoja këtë vend dhe të gjitha ato që kisha imagjinuar dhe në qofshin paparacët, apo përfshirja në politikë, kjo është frustruese!”.

Top Channel