Himarë, parulla antishqiptare

15/04/2011 20:40

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet i ka konsideruar parullat anti-shqiptare në gjuhën greke në Himarë si provokacion për qëllime politike.

Kjo parti kërkon reagimin e fortë të institucioneve shtetërore duke i bërë  thirrje Prokurorisë që të vendosë autorët përpara drejtësisë.

“Për ne, këto provokime në prag të zgjedhjeve të 8 Majit, nuk janë gjë tjetër veçse rritje e tensionit kombëtar me qëllim përfitimin politik të disa individëve të veçantë. Himara dhe himariotët nuk mund të kenë urrejtje ndaj askujt. Himara me standardet e larta intelektuale prej vitesh është shndërruar në një terren eksperimental, të drejtuar nga Vasil Bollano, nëpërmjet individëve të paguar, që provokojnë ndjenjat e shqiptarëve”, është shprehur në një konferencë për media, sekretari politik, Ardian Tana.

“Parullat e shkruara në mes të natës, nuk janë provokimi i parë që i bëhet këtij vendi, ndaj ne kërkojmë me forcë reagimin e institucioneve shtetërore, duke nisur nga Prokuroria, që të vendosin përpara drejtësisë autorët e këtyre akteve që provokojnë urrejtje dhe dhunë ndaj shqiptarëve”, theksoi ai.

“Himara, kjo tokë kreshnike shqiptare, si një qëndër e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, nuk urren askënd. Ne i bëjmë thirrje forcave politike në Himarë që të distancohen dhe të kundërpërgjigjen ndaj këtyre provokimeve. Ne i bëjmë thirrje dy forcave të mëdha politike, që të mbështesin një kandidat të përbashkët në Himarë. Asnjëherë nuk është vonë për të vendosur në vend dinjitetin kombëtar. Ka ardhur çasti që të ulen flamujt e partive dhe të ngrihet lart Flamuri Kombëtar”, tha Tana.

Top Channel