Rama: Do të ringjallim Beratin

14/04/2011 19:20

Kryetari i PS, Edi Rama ka prezantuar në Berat kandidatin e Aleancës për të Ardhmen për bashkinë e këtij qyteti, Fadil Nasufi.

Në fjalën e tij, Nasufi ka premtuar angazhimin e tij për zhvillimin e qytetit të Beratit, në vecanti të trashëgimisë kulturore të tij.

“Berati do të kthehet në një qendër të rëndësishme turistike. Më 8 maj të lëmë pas gjithë historinë e zhgënjimeve. Më 8 maj t’i japim vlerën e vërtetë votës”, ka deklaruar Nasufi.

Ndërsa Rama, nga ana e tij ka vlerësuar punën e deritanishme të kandidatit të tij dhe ka ritheksuar se, PS është e vetmja rrugë edhe për Beratin.

“Fadil Nasufi është Bërati që ne duam, tradicional, derëhapur, fjalëmirë dhe i papërtuar. Kjo është e vetmja rrugë për Beratin, Aleanca për të Ardhmen”, ka deklaruar Rama.

Më pas, kreu i PS e ka vënë theksin tek harresa që sipas tij qeveria i ka bërë trashëgimisë kulturore të Beratit, e cila sipas tij mund të gjenerojë mirëqënie për qytetarët.

“Kur e sheh këtë trashëgimi kulturore dhe lexon shifrat e buxhetit të qeverisë për Beratin, nuk ka sesi të mos ndihesh keq. Por edhe kupton se në cfarë duarsh ka rënë Shqipëria. Shiheni si e kanë lënë vetëm qytetin dhe bashkinë, shikoni si e kanë lënë barrën për ruajtjen e këtij xhevahiri”, ka pohuar Rama.

Ai ka premtuar se projektet e PS për qytetin e lashtë do të sjellin ndryshimet e shumëpritura nga qytetarët e tij.

“Këtu, në këtë mrekulli të njeriut, Berati shtrihet mes varfërisë, papunësisë dhe pamundësisë së qytetarëve për të jetuar me mirëqënie. Me projektet që ka bashkia dhe Fadil Nasufi mund të ndryshohet e ardhmja jo vetëm për qytetin, por dhe për cdo familje të zakonshme beratase. Që të kthehet në një qytet me zhvillim ekonomik të qendrueshëm”, ka shtuar Rama.

Top Channel