Piktorët e kishave në Shqipëri

14/04/2011 20:20

Hyjnorja, e paprekshmja dhe mistikja janë elementët që karakterizojnë fenë, Zotin, besimtarët dhe institucionet fetare. Shumë besojnë në Zot, e shumë të tjerë qëndrojnë indiferentë, duke kërkuar fakte shkencore për ekzistencën e tij.

Megjithatë, kur hyn në “Shtëpinë e Zotit”, gjëja e parë me të cilën përballesh janë pikturat murale dhe ornamentet hijerëndë që krijojnë një tjetër ndjesi, një tjetër atmosferë qoftë kjo një ndjenjë paqeje, faljeje, frike apo admirimi.

”Pikturat dhe zbukurimet çojnë besimtarët tek thelbi i fesë. Ato pasqyrojnë pamjet e hyjit, duke lejuar besimtarin që të imagjinojë dhe të ndihet më pranë me Zotin”, deklaroi At Armando, i intervistuar nga emisioni i pasdites në “Top Channel”.

Pikturat e kishave, ndonëse në dukje të lehta, kërkojnë kohë dhe angazhim. Por, është pasioni dhe durimi ato që krijojnë të gjithë hapësirën e nevojshme për të kurorëzuar me sukses punën e marrë përsipër.

Piktorët e kishave në Shqipëri janë sa të veçantë aq edhe të paktë e të vëshirë për t’u gjetur.

Nëpërmjet artit të tyre, ata sjellin stilin vetjak, madje marrin si modele për veprën e tyre persona që kanë afër e që mund të pikturojnë portretin e tyre edhe me sy.

Kështu, një nga personat më të njohur që sjell me shumë finesë punën e tij në kishën katolike në Tiranë është Shpend Bengu.

”Teknika e përdorur është ajo e asekuës. Ngjyra akriliku përdoren në një sipërfaqe të thatë që quhet asekuo. Pikturat që bëhen në sipërfaqe të lagur muri, quhen afreske”, shpjegon Bengu.

”Fillimisht më është dashur që për disa muaj të merrem me projektin. Më pas filloi hedhja e tij në mur dhe mbushja me ngjyra.

Një nga teknikat e përdorura është edhe pikturimi i figurës lart në mënyrë që gjatë meshës të mos kishte probleme në vështrimin e saj si nga ata që janë në fillim e si nga ata që janë në fund“.

Janë një varg pikturash në dy anët e brendshme të kishës të realizuara jo vetëm në planin dydimensional, por edhe në planin tridimensional. Me sa duket, profesioni i piktorit dhe aq më tepër i piktorit të kishave,  bart në vetvete një pafundësi fushash, njohurish e studimesh.

”Përpara realizimit të punës kam rilexuar edhe njëherë Biblën, në mënyrë që të dilte një punë sa më e plotë dhe sa më afër perfektes.

Kjo më ka ndihmuar të përdor fantazinë dhe të vendos në përdorim të gjitha njohuritë e mia në këtë fushë. Ngjyra e bardhë e mbulesës së tavolinës… gozhda tek kyçet e njeriut… aureola…, ka shuëm efekte”, dëshmon Bengu.

Ndërkohë, at Armando, në Kishën e Zemrës së Krishtit na tregon disa nga kuptimet më interesante të këtyre pikturave:

”Rrethi i eukarestisë është simboli kryesor i fesë katolike, pasi ai personifikon vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit. Vdekja e simbolizuar në bukën e copëtuar dhe verën e gjakut të Krishtit, është një vdekje që nuk përfundon atje dhe kalon në ringjallje”.

Simbolika! Është kjo një ndër fjalët më të rëndësishme gjatë krijimtarisë së piktorit në artin pamor në kishë. Kështu, pak nga pak personazhi ynë na zbulon disa nga të fshehtat e profesionit dhe disa kuptimet që i ka dhënë ai disa nga protagonistëve në pikturat e tij.

“Juda është me kokë të kthyer mbrapsht për të dhënë mesazhin që secili prej nesh mund të jetë një Judë, varet nga pyetja se sa do t’i të jesh një Judë”, thotë Bengu.

”Nuk i kam vënë aureolë sipër kokës si për të treguar që ky është ai që dallon nga të tjerët dhe në çdo kohë, mes nesh mund të ketë një Judë. Po kështu është veshja e zezë….thonjtë e pisët e të paprerë”.   

Pak nga pak u shpalosën detajet e vogla që ngrenë një të tërë. Atë që kthen një sallë boshe në një kishë, ku thuhet se aty mund të gjejmë Zotin. Por, ka ngelur një element i fundit. Ngjyrat ekspresive.

”Nuk kam përdorur një ngjyrë të veçantë, por e bardha nënkupton dritën, të gjithë dishepujt e tjerë janë me ngjyra të ndryshme”, shpjegon Bengu.

Megjithatë, duket se nuk ka shumë ndryshim mes një piktori dhe një piktori kishash. Të paktën, kështu pohojnë disa nga ata që dinë se çfarë do të thotë në të vërtete arti.

Nuk është e rëndësishme se si ata quhen, por është e rëndësishme që puna e tyre të quhet art.

Top Channel