Konica si nuk e kemi njohur më parë

14/04/2011 21:00

Faik Konica, si nuk e keni njohur më parë. Këtë mund të zbulojnë shumë shqiptarë përmes librit që ka prezantuar së fundmi gazetari i njohur i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi.

Bëhet fjalë për një libër me dokumenta dhe të dhëna të tjera të panjohura, të cilat tregojnë anën e pazbuluar të jetës në SHBA të shqiptarit të madh.

”Bëhet fjalë për dokumenta të ruajtura në arkivin shtetëror të SHBA-së, në Merilend. Atje qëndron korrespondenca e plotë e Konicës me Mbretin Zog”, deklaroi Ikonomi.

”Marrëdhëniet e tyre kanë qenë shumë komplekse. Nuk është e vërtetë që Konica ka qenë një përkrah i madh i tij, pasi në deklaratat personale e përbuzte”.

Arkivi ka zbuluar marrëdhënie komplekse edhe midis dy shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë të kohës, Konica e Noli.

Problemet e fillimit dhe akuzat që iu bënë Nolit si “bolshevik”, u zëvendësuan më pas nga një miqësi e thellë midis të dyve.

Në këtë libër, sipas Ikonomit, dëshmohet edhe se “Konica ishte pa dyshim, diplomati më i shquar i kohës në Uashington. Kjo përbën një nder edhe me të madh për të, duke patur parasysh që të gjithë vendet dërgojnë në SHBA disa prej njerëzve të tyre më të përgatitur”. 

Top Channel