Fyle: Fund retorikës politike

14/04/2011 15:50

Komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle kërkon t’i jepet fund retorikës politike që prodhon tension dhe dhunë gjatë fushatës elektorale. Në një intervistë për Top Channel, Fyle tha se zgjedhjet duhet të garantojnë transparencë. Ndërsa lidhur me mbulimin mediatik, komisioneri kërkoi që mediat të mos pengohen të ndjekin takimet e kandidatëve.

TCH: Komisioner, jemi përpara zgjedhjeve lokale, si e vlerësoni klimën politike parazgjedhore?

Fyle: Komplekse. Të gjithë e njohim situatën në Shqipëri, ku ngërci vijon prej kohësh, ku qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur ende mënyrën sesi të komunikojnë, ndaj zgjedhjet lokale janë një mundësi për një fillim të ri. Por, ajo që duhet të garantohet është që zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme e demokratike. Zgjedhjet duhet të jenë në përputhje me parimet europiane e ndërkombëtare, të ketë transparencë dhe besim, si dhe të ekzistojë mjedisi i duhur dhe i mirë përpara mbajtjes së zgjedhjeve, në mënyrë që atmosfera parazgjedhore dhe fushata të mos bëhet peng e retorikave të pafavorshme.

TCH: Meqë ra fjala, përvec retorikave, a jeni të shqetësuar nga ky mjedis i dhunshëm parazgjedhor në Shqipëri?

Fyle: Dhe kjo është fiks ajo që nisa të thoja, se na duhet që të ekzistojë mirëbesimi. Mirëbesim jo vetëm rreth partive politike, por sidomos ndaj atyre që do të shkojnë për të votuar. Duhet të krijojmë kushtet për transparencë, e ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës që të jetë e mundur. Ndaj retorika agresive nuk ndihmon për këtë.

TCH: Komisioner, a jeni të informuar se partitë politike në Shqipëri kanë kamera e studio montazhi në të dy kampet dhe se transmetojnë më pas takime të montuara elektorale, cfarë nuk lejon mbulimin trasnparent dhe informimin e duhur ndaj publikut mbi takimet elektorale?

Fyle: Mendoj se këtu ka dy gjëra. Së pari, u takon partive politike e institucioneve që të kenë mundësitë e tyre për të mbuluar takimet e tyre e kështu me radhë, por në të njëjtën kohë, dhe kjo është cështja e dytë, liria e medias duhet të zbatohet në mënyrë të gjithanshme. Nuk mund të përzgjidhen vetëm disa aktivitete ku ju të lejoheni që t’i mbuloni e në të tjerat ju të limitoheni. Liria e medias ishte vecanerisht kryefjalë e presidentit Barroso, kur ai vizitoi javën e kaluar rajonin. Kjo, sepse ne po përballemi me një sërë vështirësish mbi lirinë e medias, sidomos në Ballkan, por edhe në Turqi. Për këtë arsye po organizojmë dhe konferencën e lartë, për t’i adresuar problemet e medias. Ndaj, shpresoj shumë se jo vetëm që retorika të jetë e favorshme në zgjedhje, por që gjithashtu media të luajë nje rol, e ne fakt media ka një rol shumë të rëndësishëm si para zgjedhjeve edhe pas tyre.

Top Channel