Bostinaru, letër shqiptarëve

14/04/2011 20:10

Pas seancës së tensionuar dhe replikave me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, Viktor Bostinaru i është drejtuar me një letër shqiptarëve.

Në letër ai shprehet se është një mik i Shqipërisë europiane, por nuk mundet të mos kritikojë sjelljet negative dhe politikanët shqiptarë që veprojnë në mënyrë antidemokratike.

Bostinaru e ka cilësuar situatën politike në Shqipëri si “kritike”, për shkak të shumë fenomeneve negative, por shprehet optimist se në fund populli shqiptar do të dalë më i fortë prej saj.

“Më lejoni t’ju drejtohem juve me pak fjalë, të cilat nuk synojnë të jenë një përgjigje ndaj deklaratës së bërë në 24 shkurt në Parlamentin shqiptar nga kryetarja e Kuvendit dhe që habitshëm u përsëritën edhe sot në Parlamentin Europian, por më shumë kanë për qëllim të qartësojnë rëndësinë që unë i kushtoj Shqipërisë dhe se cilat janë parimet që udhëheqin aktivitetin tim në favor të vendit tuaj si anëtar i Parlamentit Europian, nënkryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me vendet e Europës jug-lindore dhe si nënkryetar i Komitetit Parlamentar për Stabilizimin dhe Asociimin BE-Shqiperi”.

“Përgjigjia ndaj sjelljes së mjerueshme të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë do të nënkuptonte dobësim të dinjitetit tim, ndaj për këtë arsye unë preferoj të ndjek një sjellje tjetër për të informuar opinionin publik për situatën e vërtetë dhe për cfarë po ndodh sot në Shqipëri”.

“Gjithcka kam bërë në jetën time politike, si në Rumani dhe në Parlamentin Europian, është udhëhequr nga vlerat, vlera si demokracia, solidariteti, funksionimi i mirë i institucioneve demokratike. Vlera dhe ideale që më kanë bërë të ndihmoj dhe mbështes të gjitha vendet që aspirojnë të bashkohen, sic bëri dhe vendi im së fundmi, në Bashkimin Europian”.

“Jam një mik i vjetër i Shqipërisë dhe për këtë arsye, bashkë me idealet që shpjegova më parë, luftova, po luftoj dhe do të vazhdoj të luftoj për një Shqipëri më të mirë, me shpresën që së shpejti për një Shqipëri europiane”.

“Nëse kjo ndonjëherë përfshin sulme apo dënime ndaj disa sjelljeve politike, sigurisht që unë nuk do të hezitoj për të vazhduar kështu. Sepse qëllimet e rëndësishme nuk janë kurrë të lehta për t’u arritur dhe kur tregohesh i butë në disa raste, më shumë dëmton sesa ndihmon. Nuk kam hezituar kurrë të dënoj udhëheqësit rumunë kur ata thyen rregullat bazë të demokracisë, apo dhunuan të drejtat themelore bazë dhe në të njëjtën mënyrë uëe u solla edhe me udhëheqësit e huaj kur ishte rasti. Përsëri, në të njëjtën mënyrë u solla ndaj Shqipërisë, kur nisa të kuptoj se gjërat po shkonin në drejtimin e gabuar”.

“Por, nëse kjo është mënyra sesi funksionon me politikanë të tillë si zonja Jozefina Topalli, apo anëtarë të tjerë të Partisë Demokratike në Shqipëri, unë duhet të jem i qartë për të thënë se ky nuk është rregulli që zbatohet në Parlamentin Europian dhe Bashkimin Europian. Në fakt është fiks ajo cfarë ne këtu e dënojmë dhe e refuzojmë”.

“Do të dëshiroja t’ju tregoja, miqtë e mi shqiptarë, se brenda meje ka sot një betejë të brendshme të madhe. Një betejë mes ndjenjave të mia ndaj Shqipërisë, popullit shqiptar, kulturës tuaj dhe aspiratave tuaja për BE-në në njërën anë dhe në anën tjetër arsyetimi për situatën aktuale. Është vërtet e vështirë që të mbështes një qeveri të tillë, kur ka sjellje të tilla antidemokratike, korrupsioni i nivelit të lartë duket se është shndërruar në normalitet, nuk ka hezitim për të qëlluar ndaj atyre qytetarëve që në fakt duhet t’i mbrojnë, vetëm pse ata protestojnë paqësisht”.

“Unë shpresoj se Shqipëria do të arrijë të dalë nga situata aktuale sa më shpejt të jetë e mundur, shpresoj më e fortë se më parë dhe me të gjitha kriteret e nevojshme për të nisur sërish progresin e saj për integrimin drejt BE-së. Ndërkohë, unë do të vazhdoj pa hezitim të mbështes të gjithë ata njerëz që përpiqen për të ardhmen e Shqipërisë dhe të luftoj të gjithë ata që përpiqen të përziejnë interesat e tyre personale me ato të vendit të tyre”.

Top Channel