Biznesi i trembet antimafias

13/04/2011 15:45

Shoqatat e biznesit i bëjnë thirrje në kor qeverisë që të mos e miratojë ligjin e amnistisë fiskale pa ndryshuar më parë nenin më të rëndësishëm të tij, atë që u jep të drejtën tatimeve të kontrollojnë sipërmarrësit pas deklarimit.

“Ajo që ne kërkojmë është ajo që dënon rëndë integritetin e sipërmarrësve pas implementimit të amnistisë fiskale, që është garancia që duhet të ofrojë ky ligj për sipërmarrësit shqiptarë”, deklaron kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.

Luan Bregasi, i cili drejton Biznes Albania, një organizatë që përmbledh disa shoqata biznesi, thotë se në këto kushte ligji rrezikon të zhvlerësohet. “Kjo do sjellë pasiguri dhe ligji nuk do kryejë misionin e vetë”, thotë Bregasi.

Biznesi i propozon politikës që të mos nxitojë në miratimin e ligjit dhe të shikojë rrugët për gjetjen e konsensusit, pasi ndryshe procesi është i cënuar.

“Edhe pozita edhe opozita duhet të gjejnë vullnetin që ky ligj të kalojë me shumicë parlamentare, me 84 vota. Kjo do të thotë se është një amnisti e plotë dhe nuk do të sjellë pasiguri ndaj këtij ligji”, nënvizon Bregasi.

Ligji për amnistinë kaloi në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe pritet që shumë shpejt të kalojë në seancë plenare.

Top Channel