Arvizu: Zgjedhjet të lidhura me BE-në

13/04/2011 19:35

Nga konferenca e Këshillit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Alexander Arvizu, i ka rikujtuar faktorit politik në Shqipëri, se rruga drejt Bashkimit Europian është e lidhur ngushtë, nga mënyra e zhvillimit, përfshirë transparencën, e zgjedhjeve të 8 Majit.

“Shumë shpesh ajo që unë kam dëgjuar, si nga zyrtarët vendorë dhe vetë votuesit, është se atmosfera tejet partiake në Tiranë, atë që shpesh ne e quajmë ngërci politik, po pengon aftësinë e tyre për të ofruar shërbime në nivel vendor. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe OSBE/ODIHR janë duke vëzhguar nga afër këto zgjedhje. Mënyra e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve do të ketë ndikim shumë të rënsdësishëm, në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, ka deklaruar Arvizu.

“ODIHR-i ka vlerësuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve duke rënë dakord në dërgimin e një misioni vëzhguesish, plotësisht të plotë, duke përfshirë potencialisht mbi 300 vëzhgues afatshkurtër. Kjo, për shkak të vlerësimit që edhe pse këto janë zgjedhje vendore, ato kanë një rëndësi vërtetë kombëtarë, madje do të thoja se kanë rëndësi rajonale e ndërkombëtare. Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të shpenzojnë 350 mijë dollarë në mbështetje të këtyre zgjedhjeve, përgjithësisht për të trajnuar vëzhguesit zgjedhorë vendorë”, ka vijuar ai.

Ambasadori Arvizu, duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, citoi një thënie të presidentit Obama.

“Ne populli mbajmë në duart tona fuqinë për të zgjedhur, udhëheqësit tanë edhe për të ndryshuar ligjet tona e modeluar vetë fatet tona. E përkthyer sipas terminologjisë së 8 majit, ajo që po them këtu është që shqiptarët të dalin të shikojnë kandidatët e ndryshëm dhe shpresoj të hedhin votën sic duhet”, ka thënë Arvizu.

“Përsa i përket rolit të komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë specifike Shteteve të Bashkuara, unë dua të jem shumë i qartë, ne nuk jemi arbitra apo gjykatës. Në fakt, ne nuk kemi rol zyrtar në këto zgjedhje. Ky rol është i rezervuar për komisionet e ndryshme elektorale, atë qëndror të zgjedhjeve, si dhe për Kolegjin Elektoral”, ka nënvizuar ambasadori.

Zoti Arvizu i ka cilësuar këto zgjedhje si një hap i vogël i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik.

Arvizu ka apeluar për një debat serioz dhe inteligjent, larg etiketimeve dhe epiteteve jo të këndëshme mes politikanëve.

Duke u ndalur edhe në cështje të tjera, që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe luftën ndaj korrupsionit, ambasadori amerikan u shpreh se ai nxit Parlamentin për të kryer ndryshime në Kushtetutë për heqjen e mbrojtjes përmes imunitetit.

Top Channel