Manu Chao: Në Tiranë, shumë emocione

12/04/2011 20:15

Në pragun e koncetit të sotëm në “Qemal Stafa” në Tiranë, këngëtari me famë botërore, Manu Chao, dha një intervistë ekskluzive për Top Channel.

– Ju keni thënë se edhe pse i rritur, e konsideroni veten si fëmijë kur punoni. Si i kombinoni këto dy gjëra bashkë?

Manu Chao: “Shoqëria thotë se prej kohësh nuk jam më fëmijë, por përpiqëm të mbaj mendjen në një gjendje feminore kur bëj muzikë. Fëmijët bëjnë gjëra të thjeshta dhe me shumë ndershmëri. Më pëlqen të mos jem shumë intelektual kur bëj muzikë.

– Duket se jeni një tip që pëlqen gjërat e thjeshta…

Manu Chao: “Nuk e di se si është këtu në Shqipëri, është hera e parë që vij dhe jam i kënaqur për këtë.  Jam i lumtur që po zbuloj një vend dhe një shoqëri të re, megjithëse kam shumë miq shqiptarë në Itali. Aty ku jetoj unë, në atë vend që quhet “perëndim”, gjërat janë shumë të komplikuara dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Duhet të kemi thjeshtësi në marrëdhëniet tona, në mënyrën që zgjedhim për të bërë gjërat. Mendoj se kjo është shume e rendësishme”.

– Përpos koncerteve të mëdha, a jeni një këngëtar që luani ende nëpër bare të vogla?

Manu Chao: “Sigurisht që luaj ne bare. Kam nevoje të luaj aty. Mendoj që është vendi më i mirë në botë për të dhënë një shfaqje. Ndonjëherë është më vështirë të luash në bare se sa në stadiume, sepse atje gjithçka është live dhe nuk ka pajisje teknike. Nëpër bare të duhet të japësh shpirtin”.

– Ndjeni ende ankth përpara se të ngjiteni në skenë?

Manu Chao: “Gjithmonë! Çdo herë përpara shfaqjeve behem nervoz, si të bëhet fjalë për një skene të madhe, si për një të vogël. Jam një djalë i turpshëm. Përpara koncertit të Tiranës kam emocione të mëdha”.

– A jeni i përfshirë në ndonjë formë politike? Ndoshta në çështje lokale. Dikur ju keni thënë se: “S’jam i aftë të ëndërroj botën, por s’ka asnjë justifikim nëse nuk bëj diçka per lagjen time”.

Manu Chao: “Në fakt, është e vetmja zgjidhje. Të gjitha vendimet më të rëndesishme në botë janë të udhëhequra nga bankat fillimisht dhe më pas nga politikanët. Janë bankat bosët e vërtetë dhe jo më politikanët. Të gjithë thonë se në perëndim jetohet në demokraci, por nuk është dhe aq e vërtetë. Ne jetojmë në diktaturen e parasë. Është shumë e vështirë të ndërrosh gjërat në rang global, pasi nuk mund të shikosh rezultatet. Prandaj, zgjidhja është që të veprosh në lagjen tënde. Aty mund të shpenzosh energjite e tua, të përpiqesh të ndryshosh gjërat, të shikosh rezultatet dhe të ndryshosh sërish veperimet nëse nuk ke bërë mirë.

– Ju keni sugjeruar që në shkolla të zhvillohen aktivitete për paqen. Mendoni se paqja edukohet?

Manu Chao: “Mendoj se në këtë botë problemi më i madh është edukimi. Gjithmonë e më shumë po bëhet ndarja e edukimit mes të pasurve dhe të varfërve. Të gjithë në familjen time kemi luftuar që shkollimi të bëhet për të gjithë dhe falas. Ai është thelbësor. Po sjell një shembull të diçkaje që nuk bëhet në shkolla: si të kujdesesh për shendetin tënd. Në fakt, është gjëja e parë që duhet të bëjmë. Të mesojmë të jemi të shëndetshëm, në mënyrë që të ndihmojmë edhe të tjerët”.

Top Channel