Turi ballkanik i prillit, siç e ka quajtur Manu Chao turneun e tij, e sjell këngëtarin e njohur franko-spanjoll edhe në Shqipëri.

Me një koncert në stadiumin “Qemal Stafa”, muzikanti i famshëm do të përcjellë jo vetëm hitet e tij, por edhe një ndihmë për fëmijët shqiptarë, që do të realizohet përmes shitjes së produkteve me fytyrën e këngëtarit para dhe gjatë eventit.

Ndihma ishte kërkesë e vetë Manu Chao-s, që këtë tur nuk e trajton vetëm në aspektin artisitik, por edhe atë të një ndihme praktike për të miturit.

Një nga përfaqësuesit më të spikatur e të vlerësuar të kulturës latine, ky këngëtar njihet për shpirtin e tij të lirë, të promovuar nëpërmjet muzikës së tij, të mbushur me përzierje tingujsh rock, salsa, reggae etj.

Spektaklet e Manu Chao-s konsiderohen shpërthime të vërteta energjie, hareje dhe emocioni. Ai konsiderohet gjerësisht si mjeshtër i vërtetë i skenës.

Në repertorin e këngëtarit poliglot nuk mungojnë pjesë në gjuhën franceze, angleze, spanjolle, portugeze apo edhe arabe, çka përbën edhe një tjetër element karakteristik të muzikës së tij.

Top Channel