KLD dhe përfaqësues të huaj diskutojnë në Tiranë

12/04/2011 15:45

Të gjithë aktorët e përfshirë në çështjet e drejtësisë në vend së bashku me përfaqësues ndërkombëtarë që asistojnë në Shqipëri, kanë zhvilluar tryezën e radhës në lidhje me idenë për zhveshjen nga imuniteti të gjyqtarëve e deputetëve.

Edhe pse takimi i organizuar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës u krye me dyer të mbyllura, në përfundim të saj, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu konfirmoi sërish qendrimin për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve që nga shkalla e parë deri në Gjykatën e Lartë.

“Ajo çfarë po ndodh është se imuniteti është shdërruar në një barrierë që ka nxitur korrupsionin në politikë dhe në gjyqësor. Imuniteti është kthyer në tabu dhe barrierë e cila ka siguruar një pabarazi të shtetasve në vend”, theksoi Spahiu.

Megjithë deklarimet pro heqjes së imunitetit të gjyqtarëve, për momentin implementimi i kësaj praktike është i vështirë për shkak se amendimet në kod kërkojnë 84 vota në parlament.

Top Channel