FMN: Rritja ekonomike, e ngadaltë

12/04/2011 16:40

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka zbehur optimizmin për një rigjallërim të shpejtë të ekonomisë shqiptare duke parashikuar një periudhë disavjeçare me rritje të ngadaltë gati dy herë më të ulët nga ritmet përpara krizës.

Në raportin e fundit mbi gjendjen e ekonomisë botërore, fondi vlerëson se në vitin 2010 ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 përqind, një vlerësim 0.4 pikë përqindjeje më i ulët nga shifra që dha INSTAT pak javë më parë.

Madje FMN-në thotë se ekonomia do të rritet me të njëjtin ritëm edhe gjatë këtij viti dhe do të vazhdojë të zhvillohet me ritme të ngadalta, të paktën edhe për 5 vjet të tjera.

Në vitin 2009 Shqipëria ishte vendi që u përball më mirë me krizën në Europën qëndrore dhe lindore me rritje 3.3 përqind kur të gjitha vendet e tjera veç Kosovës dhe Polonisë, patën rënie ekonomike.

Por në 2010, sipas FMN-së janë disa ekonomi të rajonit që u rritën më shpejtë se Shqipëria, si Turqia me 8.2 përqind, Kosova me 4 përqind dhe Polonia me 3.8 përqind.

Edhe gjatë vitit në vijim disa ekonomi fqinje do të vazhdojnë të rriten më shpejtë se ajo e Shqipërisë.

Nëse parashikimet e fondit për rritjen ekonomike gjatë viteve të ardhshme do të rezultojnë të vërteta, efekti i parë është ai i pasurimit më të ngadaltë të qytetarëve shqiptarë që kanë të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, pas Kosovës.

Nëse përpara krizës, rritja 6 përqind, mundësonte dyfishimin e të ardhurave për frymë të një herë në 12 vjet me këto norma rritje që parashikon tani Fondi Monetar, periudha zgjatet në 20 vjet.

Së dyti një tjetër efekt negativ i ngadalësimit të ekonomisë është edhe ai tek financat publike.

Meqënëse Shqipëria është një nga vendet në zhvillim me borxhin më të lartë, një rritje e ulët ekonomike e bën të vështirë uljen e borxhit të lartë.

Top Channel