“Nënë Tereza” në qytetin e paqes

12/04/2011 15:50

Qyteti i Aubsburgut, që ndodhet në landin gjerman të Bajernit, i njohur si qyteti i paqes ka vendosur në spitalin qendror të tij shtatoren e humanistes Nënë Tereza.

Shtatorja, e gdhenduar nga skultorja gjermane, Marli Hoff, iu dhurua qytetit nga komuniteti i shqiptarëve të Kosovës, ndërsa ndodheshin në këtë ceremoni krerët e Bashkisë së Aubsburgut, diplomatë e ministri i Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi.

“Ministria e Kulturës e ka mbështetur këtë iniciativë. Konsideroj se kjo shenjtore e Nënës Terezë do të shërbejë për thellimin e raporteve jo vetëm mes Kosovës e Gjermanisë, por në radhë të parë mes popullit shqiptar dhe të Kosovës”, tha ministri kosovar i Kulturës, Memli Krasniqi.

“Aubsburgu është qyteti i paqes, është i vetmi qytet që feston paqen në një ditë të caktuar dhe Nënë Tereza mëshiron më së miri simbolin e paqes. Nënë Tereza ka qenë simboli i shpresës dhe këtu është tamam vendi i duhur dhe i përshtatshëm, sepse këtu kurohen njerëz që kanë nevojë për shpresë dhe kjo është një dhuratë e mirëseardhur për qytetin e Aubsburgut”, tha nënkrytetari i Bashkisë, Peter Grab.

Ndërkohë një nga përfaqësuesit e komunitetit kosovar në Aubsburg, Ilir Seferi shpjegon se si lindi ideja për të sjellë Nënë Terezën në Aubsburg.

“Ishte ideja për t’i falenderuar gjermanët që hapën dyert në vitet 90, për ne shqiptarët e veçanërisht për ne shqiptarët e Kosovës”, tha Seferi.

Pas përurimit të shtatores, një ceremoni zyrtare u mbajt edhe në ndërtesën e Bashkisë së Aubsburgut, ku nuk mungonin edhe të rinj të veshur me veshjen tradicionale shqiptare dhe me flamurin shqiptar.

Top Channel