Votimet në fshatrat fantazmë

11/04/2011 20:20

Teksa numërimi mbrapsht për zgjedhjet e 8 majit ka nisur, duket se Shqipëria nuk do t’i shpëtojë sërisht problemeve me listat zgjedhore.

Emra që janë e nuk janë, të tjerë që rezultojnë të regjistruar në dy vende, qëndra votimi fantazëm në fshatra të braktisur e mbi 100-vjeçare, që edhe pse nuk janë gjallë, sipas listave do të marrin pjesë në zgjedhje.

Nje gangrenë 20-vjeçare që sado e vogël apo e madhe qoftë, do të ketë ndikimin e saj edhe në këtë 8 maj.

Kamerat e reportazhit “Shqipëria Tjetër”, i transmetuar çdo të hënë pas edicionit të lajmeve në 19:30, vizituan komunën e Ostrenit në Bulqizë, atje ku ndodhet edhe fshati i Okshtunit.

Pamja e fshatit është hije rëndë, mes kullave të gurta disa katëshe të ndërtuara kushedi se kur, burimeve që zbresin nga majat e kalldrëmit që mbulon thuajse gjithë rrugicat e fshatit.

Simbolet partiake të japin përshtypjen e një gare të forte elektorale të zhvilluar në të shkuarën.

Gjithçka tjetër është pushtuar nga një qetësi jo e zakonshme për një fshat që duhet të ketë më shumë se 100 banorë. Trokasim me kot sepse askush nuk përgjigjet. Në rrugicat e fshatit, gjithçka duket e shkretë.

Sipas listës përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 8 majit, në Okshtun do të ngrihet një qendër votimi për t’i dhënë mundësinë e votës 32 votuesve të këtij fshati dhe 30 të tjerëve të Okshtunit të vogël, fshatit që shtrihet ngjitur në një rrëze kodre.

Por, përtej shifrave zyrtare të pasqyruara në listën përfundimtare, mes sokaqeve të gurtë duket e vështirë të gjesh frymë të gjallë, përveç ndonjë shenje të harruar e të hedhur diku mes rrenojave të shtëpive.

Diku, një banor i cili, pasi na pyet për qëllimin e vizitës, mërmërit nën zë se në fshat kanë mbetur vetëm dy familje me gjashtë votues nga 32 të publikuar në listën zgjedhore e më pas largohet menjëherë thuajse i frikësuar.

Kërkimi i mëtejshëm duket i kotë, Okshtuni është pothuajse plotësisht i braktisur.

Gjithçka e pohon edhe një prej ish-banorëve të larguar prej vitesh në qytetin e Vorës, i cili vjen në Okshtun vetëm për t’u kujdesur për bletët në muajt e verës.

Ai vetë ka bërë pashaportizimin në Vore dhe me kërkesën e tij nuk është më votues në Okshtun.

”Dikur popullësia ka qenë në 60-70 familje, por tani ka rënë ndjeshëm, në vetëm 2-3 familje”, deklaroi Imber Biba, i lindur në Okshtun.

Edhe më absurde është situata në Okshtun të vogël, ku prej gjashtë vitesh nuk jeton më asnjë banor, e megjithatë në listen e votuesve ka plot 30 të tille.

Procesi, të paktën nëse i referohesh informacionit zyrtar, duhet të mbahet në shkollën 9-vjeçare të fshatit Okshtun. Por, kjo godinë duket edhe ajo të ketë pak ose aspak lidhje me zgjedhjet.

Kudo porta te mbyllura, zinxhirë, dryne, e diku në një cep dy votuesit nga familja Mali që punojnë tokën me kafshë ashtu si në mesjete.

E kote t’u kërkosh të flasin, mes varfërisë e pamundësisë çdo fjalë e tepërt mund t’u hapte pune, të paktën kështu mendojnë.

Në listën zyrtare me 62 votues të dy fshatrave, 56 nuk janë më banorë të zonës, por sikur të mos mjaftonte, mes tyre ka edhe persona të vdekur, të pakten tre mundemi t’i identifikojmë edhe ne.

Ky është rasti i të ndjerit Islam Myslim Sallaku, ende në liste, por i varrosur shumë larg, në Shën Vlash të Durrësit, nëntë vite më parë.

Ashtu si ai, edhe 98-vjeçarja Hane Sallaku, që ende figuron në listën zyrtare, por edhe Mirvet Balla, edhe ajo po ashtu në po të njëjten listë.

Në listën përfundimtare të zgjedhësve me ngjyrë të kuqe, janë ngjyrosur ata banorë që nuk jetojnë më në Okshtunin e madh, atë të vogël dhe në fshatin fqinj, Oreshnjë, ku nga 19 votues kanë mbetur vetem tre.

Përmbledhja për këto tre fshatra tregon se nga 81 votues, vetëm nëntë mund të marrin pjesë në proces, ose ndryshe 10 herë më pak nga sa është parashikuar të votojnë.

Kur kanë mbetur më pak se 30 ditë nga 8 maji, në Okshtun si atë të madh dhe atë të vogël, por edhe në Oreshnjë, gjithçka hesht, hesht ashtu si banorët e larguar të cilët veç gërmadhave të kullave duket se kanë lënë pas me hir a me pahir një pjesë të vetes së tyre.

Çfarë do të ndodhë në Okshtun e Oreshnjë, sigurisht rezultati i politikës së madhe nuk do të ndryshojë.

72 votuesit fiktive do të mbulohen nga mjergullnaja e garës elektorale. Askush nuk mund të thote nëse dikush do të votojë apo jo në emer të tyre.

Gjithsesi, dyshimi mbetet. Okshtuni i Madh, ai i Vogel, Oreshnja, por edhe fshatrat e tjerë të Komunës Ostren, sot janë thjesht një shembull, një shembull sesi nuk duhet të jete një garë elektorale.

Top Channel