Elbasan, Rama prezanton kandidatin e PS

11/04/2011 19:15

Kryetari i PS, Edi Rama ka hapur fushatën në Elbasan, ku ka prezantuar Qazim Sejdinin si kandidat për kryetar bashkie.

Në fjalën e tij, Rama ka ritheksuar se e vetmja rrugë për shqiptarët është Aleanca për të Ardhmen, si dhe ka hedhur një seri akuzash ndaj “regjimit të kusarisë”.

“Rruga jonë bëhet cdo ditë gati për të zgjeruar korsinë e saj. Ata i bashkon kusaria që futi në shtrat Saliun me Durimin, ne na bashkon kjo rrugë, që ka sjellë këtu qytetarët dhe Qazimin”, ka deklaruar Rama duke iu referuar fillimisht kandidatit të PD dhe më pas atij të PS.

“Ne jemi e vetmja rrugë ku asnjë shqiptar që është në rregull me ligjin të mos i trembet qeverisë për shkak të zgjedhjeve të tij, që asnjë mjek e mësues të mos shkarkohet për shkak të bindjeve të tij. Ne jemi rruga që asnjë institucion të mos i mbyllë derën në fytyrë cdo qytetari, që ka të drejtë të kërkojë shërbimet që i takojnë. Rruga jonë është e vetmja që asnjë polic të mos vihet nën urdhëra të paligjshëm për bukën e gojës të familjes së tij”, ka pohuar Rama.

Kreu i PS i është referuar denoncimit që shefi i forcave speciale i bëri sot zëvendësministrit të Brendshëm, për shkak të urdhërave të paligjshëm që ky i fundit i jepte për përdorimin e forcave speciale. Rama u ka bërë thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit që të kthehen në rrugën e duhur, atë të zbatimit të ligjit.

“E dëgjuam të gjithë sot drejtorin e forcave speciale, që e urdhëron Saliu që të nxjerrë forcat speciale për të shtypur simpatizantët e PS në Kamzë. Unë e përshëndes atë për këtë mesazh që i dha Saliut. I drejtohem një sërë drejtuesish të policisë, që përditë e më shumë po japin shenjën se kanë hyrë në rrugë të gabuar. Kthehuni nga ajo rrugë, e vetmja rrugë për ju është ajo e zbatimit të ligjit. Beteja elektorale nuk është beteja e policisë, por e qytetarisë”, ka theksuar Rama.

Duke i kërkuar prokurorisë të reagojë menjëherë për këtë skandal, Rama ka shtuar se kryeministri Berisha, këtë herë duhet ta harrojë vjedhjen e votave, ashtu sikurse bëri sipas tij më 28 qershor. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që më 8 maj t’i japin atij goditjen e merituar.

“Saliu ta harrojë se në këto zgjedhje do marrë me dhunë ose me para të pista pushtetin. Më 8 maj të clirojmë plagën e policisë, drejtësisë dhe ekonomisë. Të marrim hak për ata që u vranë më 21 janar, të marrim hak për ata që u vranë në Gërdec dhe për të gjithë ata që u vritet ëndrra dhe janë pa përkrahje dhe vuajnë nga padrejtësia”, ka shtuar Rama.

Top Channel