100-vjeçarët pa të drejtë vote

11/04/2011 11:25

Mohimi i të drejtës i 100-vjeçarëve për të votuar dhe heqja e tyre nga listat përfundimtare të zgjedhësve ka ardhur si pasojë e një udhëzimi të Ministrisë së Brendshme në muajin mars 2011 drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Sipas “Shqip”, në muajin mars, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka organizuar një takim me disa prej krerëve të pushtetit lokal, ku ka konfirmuar edhe vendimin për pastrimin e listave të zgjedhësve nga personat mbi 100 vjeç.

Pikëpyetja e madhe qëndron në faktin se ku është bazuar në ligj mohimi i të drejtës së qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë lindur përpara se Shqipëria të fitonte pavarësinë dhe për fatin e mirë sot gëzojnë shëndet të plotë dhe janë gjallë, por strukturat shtetërore u mohojnë të drejtën për të jetuar.

Megjithëse kjo kategori është e vogël në numër, të drejtën për të votuar e ka çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë.

Neni 45 i Kushtetutës, kreu i tretë i saj për liritë dhe të drejtat politike specifikon se “çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”.

Zoti dhe natyra u jep të drejtën të jetojnë atyre 100-vjeçarëve të paktë, ndërsa shteti në këtë vend u heq të drejtën e votës.

Ky diskriminim bie ndesh edhe me nenin 18 të Kushtetutës, që thotë në mënyrë eksplicite se “askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore”.

I kontaktuar lidhur me këtë çështje, drejtori i përgjithshëm i gjendjes civile, Armand Teliti, nuk jep shumë detaje lidhur me këtë proces, të cilin e quan teknik, por pohon për “Shqip” se “vendimi është marrë pas një udhëzimi të ministrit të Brendshëm dhe ligjit për gjendjen civile”.

Në listën përfundimtare të votuesve më 8 maj janë gjithsej 3 milionë e 164 mijë e 859 zgjedhës. Shumica prej tyre janë në Tiranë me 749 mijë e 246 votues dhe Fier me 362 mijë e 727 zgjedhës.

Më 8 maj do të jenë 4932 qendra votimi gjithsej për të zgjedhur drejtuesit e pushtetit vendor. Në diferencë nga lista paraprake e zgjedhësve në fund të muajit nëntor 2010, më 9 prill, Ministria e Brendshme publikoi 23 mijë votues më pak.

Pjesë e kësaj kategorie që mungon në listat e zgjedhësve janë emrat e dubluar, personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare apo janë ndarë nga jeta, dhe brenda tyre janë edhe ata pak persona që gëzojnë fatin e mirë të kenë lindur në vitin 1911 dhe të vazhdojnë të gëzojnë shëndet të plotë.

Top Channel