Rama prezanton kandidatin në Njësinë nr.6

10/04/2011 19:15

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi fushatën e tij elektorale në kryeqytet ku prezantoi kandidatin socialist në Njësinë Bashkiake nr.6 në Kombinat, Krenar Cenollari.

Gjatë fjalës së tij lideri socialist dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi punën e bërë në Kombinat në vitet e kaluar.

“Ju kujtohet ky shesh pak vjet më parë? Katrahurë, pisllëk, shkatërrim, re tymi prej plehrave që digjeshin! Rilindëm Tiranën e Kombinatin”, tha Rama në nisje të fjalës së tij para mbështetësve në Kombinat.

Më tej Rama, duke ftuar të gjithë banorët të votojnë kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Krenar Cenollari tha se Kombinati nuk mund të jetë, sic tha ai, një fletë e bllokut të Ilirit.

“Kombinati nuk mund të jetë një fletëe e bllokut të kusarive të Ilirit dhe as degë e stërzgjatur e pemës së kalbur të pushtetit të Saliut”, u shpreh Rama.

Rama premtoi një linjë të re autobusësh, e cila sipas tij ka mbetur pezull për shkak të bllokimit të Këshillit Bashkiak, sic tha ai, prej Saliut dhe Ilirit.

“Linjë e re autobusësh sapo të kemi shumicën në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Saliu dhe Iliri kanë bllokuar linjën e autobusëve duke bllokuar Këshillin Bashkiak”, tha Rama.
 
Më tej kryesocialisti akuzoi Berishën, se përkundër deklaratave për një fushatë në dietë, bredh, sic tha ai, me helikopter nëpër qytetet shqiptare.

“Tha fushatë në dietë me makinë të marrë me qira por e vërteta është se bredh me helikopter qytet më qytet për t’i zhdëpur njerëzit me gënjeshtra”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, kandidati socialist për njësinë nr.6 pasi vlerësoi punën e bërë nga kryebashkiaku Rama në gjithë Tiranën, akuzoi kryeministrin Berisha e kandidatin e mazhorancës për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha për bllokim të zhvillimit të kryeqytetit.

“Rama ka shndërruar Tiranën në një kryeqytet europian. Berisha e Basha po mbajnë peng zhvillimin e kryeqytetit”, tha Cenollari.

Top Channel