Berluskoni “kërcënon” Europën

10/04/2011 15:15

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni i kërkoi Europës të ndihmojë Italinë që po përballet me tsunamin njerëzor, sic e cilësoi ai mbërritjen e emigrantëve të paligjshëm nga Afrika Veriore në brigjet e ishullit të Lampeduzës.

“Ky problem duhet të shihet i tillë për të gjithë Europën, jo domosdo për 25 mijë emigrantët të cilët u kemi ardhur në ndihmë, por për të gjithë të tjerët që po vijnë. Situata aktuale do të sjellë të tjerë, vecanërisht nga Libia që është në luftë”, deklaroi Berluskoni.

Kryeministri italian, gjatë një vizite në ishullin jugor të vendit, të tejmbushur nga të ardhurit, u shpreh i revoltuar, duke thënë se nëse Europa nuk ka një zgjidhje, atëherë secili të vazhdojë politikat e veta.

“Unë e kuptoj se është nevoja për të mbajtur një qendrim të vendosur përballë elektoratit tonë, por duhet të përballemi edhe me realitetin. E vërteta është se Europa është dicka reale, konkrete ose jo. Është rasti që gjithëkush të ndjekë politikat e tij, të lejojë që gjithëkush të ndjekë politikat dhe egoizmin e tij. Mendoj se Kancelarja (Merkel) nuk mund të mos pajtohet se Europa mban përgjegjësi për këtë tsunam njerëzor”, u shpreh kryeministri italian.

Italia është përplasur me partnerët e saj, Francën dhe Gjermaninë për këtë cështje që do të diskutohet në Bruksel të hënën. Të premten Ministrat e Brendshëm të Francës dhe Gjermanisë ranë dakort për patrulla të përbashkëta në brigjet tuniziane për të penguar vërshimin e emigrantëve dhe nga ana tjetër Roma i garantoi ndihmë vendit afrikano-verior për të penguar fluksin.

Franca nuk pranon emigrantët e paligjshëm nga Tunizia dhe dënoi vendimin e Italisë për t’i dhënë leje atyre që deklarojnë se do të ikin në vendet e tjera të Europës. Italia akuzon Francën se po shkel të gjitha detyrimet e marrëveshjes së Shengenit për të mbajtur të hapur kufinjtë brenda Europës.

Të premten Gjermania iu bashkua Francës duke dënuar veprimet e Italisë me argumentin se po shkel shpirtin e Shengenit duke lëshuar viza me arsye humanitare, megjithëse pas rënies së regjimit në Tunizi, nuk ka më asnjë bazë për këtë.

Kryeministri italian, Berluskoni është vënë në shënjestër të kritikave brenda vendit që lejoi krizën të kapë majat, me mijëra emigrantë që flinin në kampe apo në qiell të hapur, përpara se të niste operacionin për pastrimin e ishullit të Lampeduzës.

Top Channel