Shtrëngohet “part-time”, diploma njësoj si “ditën”

09/04/2011 11:20

Ndonëse deri më tani sistemi part-time ka qenë më i preferuar nga të rinjtë që kanë arritur rezultate të dobëta në gjimnaz, zyrtarisht sqarohet se në vijimësi nuk do të funksionojë më e njëjta praktikë.

Burime pranë MASH, bëjnë me dije se rregullat apo kriteret që do të përcaktohen vitin e ardhshëm akademik do të jenë të rrepta, në mënyrë që të drejtën për të studiuar në sistemin me kohë të pjesshme të mos e kenë më as ato që gëzojnë rezultate të dobëta pas përfundimit të shkollës së mesme.

Duke nisur nga viti i ardhshëm akademik, Ministria e Arsimit dhe Shkencës sqaron se nuk do të jetë dhe aq e lehtë për të konkurruar në sistemin part-time të arsimit universitar.

Kjo, për shkak se ky institucion ka vendosur të “shtrëngojë” procedurat e shpalljes së fituesve. Zyrtarisht sqarohet se, qëllimi parësor i marrjes së këtij vendimi është që në këtë sistem të mos konkurrojnë vetëm nxënësit e dobët që nuk fitojnë dot sistemin me kohë të plotë, por edhe ata që gëzojnë rezultate të larta, por që për shkak të angazhimeve private nuk mund ta ndjekin dot sistemin me kohë të plotë.

Shefi i kurrikulave të arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Albano Zhapaj, pohon se nëpërmjet këtyre ndryshimeve që pritet të vihen në zbatim vitin e ardhshëm akademik, diploma e sistemit arsimor të pjesshëm do të marrë vlerën e duhur dhe do të jetë e barasvlefshme me atë të sistemit të plotë.

Konkretisht, parashikohet që ndryshimet të hyjnë në fuqi brenda 2 viteve. Kusht kryesor për pranimet në sistemin part-time do të jenë edhe rezultatet e katër provimeve të Maturës Shtetërore.

Kjo është një tjetër risi që do të përfshijë në vijimësi edhe sistemin me kohë të pjesshme në Shqipëri.

Gjatë përvojave të kaluara, të rinjtë që kanë konkurruar për të qenë student në fakultetet me kohë të pjesshme, nuk ishin të detyruar t’u nënshtroheshin provimeve të Maturës Shtetërore.

Kjo vlente si për maturantët e tij viti, edhe për ata që e kishin përfunduar shkollën e mesme një ose më shumë vite më parë.

Fakti që vitin e ardhshëm Ministria e Arsimit ka vendosur të shtrëngojë “rripin” ka të bëjë pikërisht me këtë fakt.

Kjo do të thotë që si për të konkurruar në sistemin e plotë, si në atë part-time nxënësit duhet të zhvillojnë në mënyrë të detyruar testet e Maturës Shtetërore. Pra këtë praktikë do të duhet ta ndjekin jo vetëm ata që janë aktualisht maturantë, por edhe ish-maturantët.

Ndonëse në pamje të parë kjo duket paksa e rreptë, vlen të theksohet fakti që pas përfundimit të studimeve të nivelit të parë, diploma me të cilën do të pajisen studentët që kanë ndjekur sistemin part-time apo atë të plotë do të shpërblehen njësoj, çka do të thotë se diploma e të dy palëve do të jetë njësoj e vlefshme, ndonëse ngarkesa e të studiuarit nuk ka qenë aspak e njëjtë.

Top Channel