Projekt punësimi në Paskuqan

09/04/2011 21:10

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar me banorë të komunës së Paskuqanit, ku ka mësuar shqetësimet dhe problemet e tyre.

Gjatë bisedës me banorët e Paskuqanit, Rama është shprehur se ka një projekt në lumin që kalon në këtë zonë, ku do të punësohen 21 mijë persona.

“Nga Tropoja kam ardhur, kam 20 vjet që banoj këtu në një infrastrukturë të shkatërruar”, i është ankuar një banor Ramës.

“Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një politike të mbrapshtë që ju ka përdorur mish për top gjatë fushatës elektorale dhe ju ka lënë kështu. Ne do t’i japim një perspektive të re Paskuqanit”, i është përgjigjur Rama.

Banorët kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e investimeve në infrastrukturë, si dhe ndasi politike nga qeverisja vendore e kësaj zone.

“Ne kemi një projekt për bashkimin e Tiranës me Paskuqanin, vetëm na jepni votën”, ka garantuar Rama qytetarët, të cilëve u ka premtuar kthimin në punë të shkarkuarve për motive politike.

“Ata nxjerrin nga puna gjithë qytetarët e ndershëm, mësuesit, mjekët, policët. Duhet të votojmë për aleancën e PS që të mos ketë më flakje nga puna”, ka thënë Rama.

Rama u ka kërkuar banorëve të Paksuqanit të votojnë kandiatin e Aleancës për të Ardhmen, për të bërë realitet zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe që Paskuqani të mos jetë një zonë si e ndarë me thikë nga kryeqyteti.

Top Channel