TCH: Jo më filmime të gatshme

08/04/2011 19:50

Një nga kritikat e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2009-ës në Shqipëri lidhej direkt me pasqyrimin e fushatës së partive në media.

Raporti vuri në dukje mungesën e theksuar editoriale, për shkak se mediat e kthyen pasqyrimin e fushatës në një punë ku transmetoheshin filmimet dhe komentet që sillnin në redaksi vetë partitë.

Për të korrigjuar këtë kritikë dhe në funksion të paanshmërisë dhe pavarësisë editoriale, Top Channel ka vendosur që këtë fushatë elektorale të mos pranojë materialet filmike të partive politike.

Në ditën e hapjes zyrtare të fushatës elektorale, Top Channel ka informuar për këtë vendim shtabet elektorale të dy partive kryesore në vend, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, si dhe ka vënë në dijeni autoritetet përkatëse vendore dhe të huaja të monitorimit, përfshirë edhe misionin vëzhgues të ODIHR-it dhe misionet kryesore diplomatike në vend.

Duke qenë se Top Channel ka vendosur të ndjekë fushatën me gazetarët, operatorët dhe korrespondentët e tij, në shkresën drejtuar partive kryesore, kërkohet vënia në dijeni e televizionit për axhendën elektorale të secilës palë.

Me këtë vendim Top Channel beson se përmbush detyrimin profesional për informim të drejtë dhe të paanshëm në funksion të transparencës përballë qytetarëve.

Top Channel