Të pakënaqur nga vendorët

08/04/2011 15:50

Komuniteti ka vlerësuar me nota të ulëta qeverisjen vendore në nivel kombëtar. Rreth 2 mijë votues të përfshirë në sondazhet e kryera nga organizata të shoqërisë civile partnere të “UN Women” dhe UNDP shprehen të pakënaqur për mungesë të theksuar të një sërë shërbimesh.

“Pjesëmarrja e ulët në vendimarrjen publike të grave dhe vajzave, mungesa e nismave lokale që nxisin punësimin e grave, mungesa dhe cilësia e ulët e shërbimit në çerdhet publike, mungesa e qendrave sociale në nivel lokal, mungesa e ndriçimit të rrugëve kryesore dhe dytësore në territorin e komunës, mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm dhe cilësia e keqe e tij, mungesa e mbledhjes së plehrave në lagje”, është shprehur Entela Macka, koordinatore Korçë.

Sipas vëzhgimeve të kryera nga këto organizata edhe në zgjedhjet e 8 majit vihet re një përfaqësim fare i vogël i grave si kandidate për qeverisjen vendore.

“Në rrethin e Shkodrës, asnjë prej komunave dhe bashkive që ka rrethi i Shkodrës nuk është caktuar asnjë femër. Nëntë subjekte politike në Shkodër dënohen me një gjobë prej 30 mijë lekë të vjetra për mosparaqitje në lista të grave sipas ligjeve në fuqi”, theksoi Zenepe Dibra, koordinatore Shkodër.

Kjo analizë e kryer në 7 rajone të vendit ka nxjerrë në pah dhe nivelin e ulët të transparencës së pushtetit vendor ndaj zgjedhësve.

Top Channel