PS: Basha të kërkojë falje për romët

08/04/2011 13:10

Partia Socialiste, në kuadër të ditës ndërkombëtare të romëve, ka akuzuar kandidatin e PD për bashkinë e Tiranës se nuk bëri asgjë për të ndalur dhunën ndaj këtij komuniteti kur ishte ministër i Brendshëm.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Vasilika Hysi ka deklaruar se ky veprim tregon qartë se Berisha dhe kandidati i tij po luajnë teatër me qytetarët.

“Policia e Lulit, jo vetëm ndëjti duarkryq ndaj dhunës së romëve, por u përpoq të fshihte ngjarjen duke ngjallur zemëratën e medias, partnerëve të Shqipërisë dhe detyroi gjyqësorin të mos niste një hetim. Sot romët prisnin të shihnin një falje publike nga kandidati i Saliut dhe jo të shihnin një teatër”, ka pohuar Hysi.

Ajo ka shprehur bindjen e saj se më 8 maj komuniteti rom dhe gjithë qytetarët e Tiranës do t’i japin përgjigjen e merituar këtij “teatri” të liderëve të mazhorancës.

“Berisha dhe kandidati i tij nuk mund të bindin qytetarët duke luajtur teatrin e radhës. Më 8 maj qytetarët do t’i thonë ‘kurrë më pushtetit të Saliut’. E vetmja rrugë për shqiptarët është PS”, ka shtuar Hysi.

Top Channel