Berisha: Rama pa projekte

08/04/2011 15:30

Përurimi i rrugës Belsh-Fierzë-Kosovë me gjatësi 18 km dhe vlerë investimi 353 milionë lekë, ishte një rast për kryeministrin Berisha për ta akuzuar kundërshtarin e tij Edi Rama se nuk ka asnjë projekt për këto zgjedhje.

Kryeministri e akuzoi zotin Rama për investimet e pakta infrastrukturore në kryeqytet, ndonëse në katër vitet e fundit qeveria e ka financuar Bashkinë e Tiranës, sipas kryeministrit, tre herë më shumë sesa qeveritë socialiste.

“E keni dëgjuar ju atë t’u paraqesë qytetarëve qoftë edhe një projekt të vetëm? Ju e dini se sot ne inauguruam një rrugë që në të dy segmentet e saj është mbi 18 kilometra. Në katër vite ai ka asfaltuar rrugica të Tiranës gjithsej 12 kilometra, paçka se në katër vite ka marrë më shumë, në 4 vite është financuar nga qeveria 3 herë më shumë çdo vit sesa nga qeveritë socialiste. Por, natyrisht, kur nuk ke asgjë për t’u servirur qytetarëve, kur nuk ke një projekt për t’u zotuar atyre, u premton ‘Fajin e ka Saliu’”, është shprehur Berisha.

Kryeministri bëri ironi me barcoletat që kryetari i opozitës ka bërë kundrejt tij dhe i ftoi qytetarët e pranishëm të votojnë për aleancën për qytetarin:

“Atë ta lëmë e t’i japim mundësi që çdo ditë të tregojë barsoletat e Shalsit të tij. Ne të merremi me punë, të shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve, të votoni kandidatët e kësaj aleance dhe unë ju jap fjalën se do të mbështes çdo projekt tuajin”, theksoi Berisha.

Sipas njoftimit zyrtar, rruga e përuruar nga kryeministri në Dumre lidh 8 qendra të banuara, qytetin Belsh, fshatrat Cepe, Hardhishte, Fierza, Cerragë, Kosovë e Madhe, Kosove e Vogël deri në fshatin Jeta e Re.

Top Channel