Spahiu: Greqia të mos cënojë sovranitetin

07/04/2011 11:15

Pas deklaratës së ministrit të Jashtëm grek Dimitris Drutsas, i cili ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes mbi ndarjen e kufijve detarë me Shqipërinë, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar ashpër nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.

“Me këtë vendim të gjykatës, që ka e vlerësuar marrëveshjen si të papajtueshme me Kushtetutën, nuk ka më vend të flitet për një marrëveshje në fuqi që nuk ekziston më. Kërkojëm që Greqia të respektojë sovranitetin e Shqipërisë, parimet e shtetit ligjor dhe të drejtat ndërkombëtare dhe të mos lejohen deklaratat që i cënojnë ato”, ka deklaruar Spahiu.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm studentë dhe intelektualë, është kërkuar që Greqia të respektojë sovranitetin e shtetit shqiptar dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Cdo marrëveshje që do bëhet mes dy vendeve duhet të bëhet duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, shtetin ligjor, vendimet e gjykatave dhe pavarësinë”, ka nënvizuar Spahiu.

“Ne jemi ata që duam të shkojmë në BE dhe jo BE që na kërkon neve. Prandaj, ne duhet të bëjmë atë që thotë BE dhe jo atë që thotë Greqia”, është shprehur pas tij intelektuali Hysamendin Ferraj.

Greqia nuk mund t’i bëjë presion Shqipërisë me tezën se kështu nuk do të pranohet në Bashkimin Eropian. Nënkryetari i KLD-së ka risjellë në vëmendje se në Shqipëri numërohen të paktën 20 mijë qytetarë mbi 65 vjec, që rezultojnë me kombësi greke dhe marrin një pension prej 300 eurosh.

Ndryshimi i ligjit të gjendjes civile është domosdoshmëri për shqiptarët, pasi po ndryshohet identiteti dhe kombësia duke sjellë fakte të gabuara.

Ndërkaq, Spahiu ka theksuar se zyrtarët që do të merren me regjistrimin e popullsisë duhet t’i japin epërsi të dhënave të regjistrit themletar dhe jo të dhënave që do të vinë nga vetëdeklarimi.

Top Channel