Importi i mbetjeve spitalore, autoritetet nisin verifikimet

07/04/2011 12:30

Denoncimi i importit të mbetjeve spitalore me destinacion Shqipërinë e konkretisht landfillin e Elbasanit, nga organizata “Rinia Aktive” ishte dje diskutimi qendror në të gjithë vendin.

Sipas “Shqip”, menjëherë kanë reaguar lidhur me deklaratën e të rinjve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencia Rajonale Mjedisore. Ministria e Mjedisit ka qenë e para që dy ditë më parë rreth orës 22.00 ka dërguar për konfirmim në Portin e Vlorës një grup ekspertësh, të cilët kanë sqaruar se nuk rezulton të kenë mbërritur në Shqipëri mbeturina spitalore.

Ministria e Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshëm e Doganave dhe Agjencia e Mjedisit kanë konfirmuar se nuk ka asnjë të dhënë për depozitim mbetjesh. Ndërkohë që organizata “Rinia Aktive” nuk është prononcuar dje për mediat, si dhe nuk ka dhënë deklarata shtesë, apo detaje të reja lidhur me pretendimet e dy ditëve më parë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka hedhur poshtë mundësinë e importit të plehrave në vend. Në një reagim publik, kjo drejtori sqaron se nuk ka pasur dy ditë më parë asnjë kompani transporti që ka depozituar plehra në Portin e Vlorës.

Në lidhje me denoncimin e organizatës “Rinia Aktive” mbi ardhjen ilegale të plehrave në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave konfirmon se:

“Në Portin e Vlorës nuk ka asnjë import apo transitim mbetjesh të çfarëdo lloji qofshin ato. Subjekti “Shpati”, sipas të dhënave të sistemit informatik doganor, nuk ka asnjë lloj aktiviteti import-eksporti”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj drejtorie. Nisur nga publikimi i lajmit të importit të plehrave gjatë mbrëmjes së djeshme nga Porti i Vlorës, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave sqaron se në rastet kur bëhen denoncime të tilla që kanë lidhje me veprimtarinë doganore, institucioni që jep një informacion të saktë është drejtoria e këtij dikasteri.

Top Channel