Gërdeci, qeveria dëmshpërblen familjet

07/04/2011 12:25

Për herë të dytë në prag zgjedhjesh, qeveria jep ndihmë financiare për familjet e dëmtuara të Gërdecit, që tanimë cilësohet dhe njihet në dokumente zyrtare me termin “aksidenti teknologjik”, bën të ditur “Shqip”.

Para zgjedhjeve elektorale të vitit 2009, qeveria mori vendimin për një ndihmë ekonomike për familjet e dëmtuara. Ndërkohë që në prag të zgjedhjeve vendore, qeveria ka miratuar dje një tjetër vendim për të gjitha familjet e dëmtuara nga aksidenti teknologjik.

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për: “Akordim fondi financiar shtesë, bashkisë Vorë, për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.03.2008, në fshatin Gërdec për pagesën e qirasë së banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore. Bëhet fjalë për trojet që ndodhen brenda perimetrit 300 ML rreth kraterit, zonë e shpallur si zonë e sigurisë së lartë”. Në mbështetje të ligjit ‘Për emergjencat civile’, të ligjit ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’, të ligjit ’Për buxhetin e vitit 2011’, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave mori një tjetër vendim financiar.

“Bashkisë Vorë, në buxhetin e vitit 2011 t’i akordohet fondi financiar shtesë prej gjashtë milionë e pesëqind e nëntë mijë e katërqind lekësh, për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.3.2008, në fshatin Gërdec, për pagesën e qirave të banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore që ndodhen brenda perimetrit 300 ml rreth kraterit, zonë e shpallur si zonë e sigurisë së lartë”, – thuhet në vendim. Fondi i akorduar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm, prefekti i Qarkut Tiranë, si dhe Bashkia Vorë, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Të gjitha detajet e miratimit të listave të familjeve, shpërndarjes së fondit apo aplikimeve do të jepen menjëherë pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare.

Do të jetë Bashkia e Vorës që do të kujdeset për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave e që do të japë asistencën e nevojshme për familjarët.

Top Channel