Eksporti i muzikës shqiptare

07/04/2011 19:15

Muzika të lejon të shkruash në të gjitha gjuhët e botës dhe një fenomen të tillë muzika e lehtë shqiptare po e provon prej vitesh.

Siç tregoi emisioni i pasdites në Top Channel, tendenca e krijimeve muzikore për tregjet ballkanike, duket se i kundërpërgjigjet asaj që kemi ndeshur deri tani, plagjiaturës së këngëve të vendeve që na rrethojnë.

Ky bashkëpunim i heshtur, për të cilin është folur shumë pak, na lë të kuptojme se zhvillimet  muzikore, përveç atij të integrimit europian të saj, i njohur deri tani, po ndjekin një tjetër kahje:

”Brezi i ri i kompozitorëve shqiptarë, emra si Hila, Mumajezi apo Lako, kanë patur bashkëpunimet e tyre me këngëtarë dhe kompozitorë të tjerë të huaj, si nga Izraeli, Bullgaria, Maqedonia, Italia, ish-Jugosllavia dhe do të thoja se kjo është diçka e mirë që duhet vlerësuar”, deklaroi Fabi Asllani.

E kënduar në një nga festivalet në Shqiperi, gjithkush që do të dëgjonte këtë version, do të mendonte për një kopjim të thjeshtë. Megjithatë, “Nishto ne Znaesh “ është një bashkëpunim i kompozitorit, Flori Mumajezi, me kengëtaren bullgare, Emanuela.

Kënga që në këtë version titullohet  “Asgjë nuk dihet”, në atë original njihet me “Fluturimi 34-70”, që në 2007-n u be hit i padiskutueshëm në Shqipëri.

Kompozitori Fabi Asllani thotë se bashkëpunime të tilla i përkasin fazës eksperimentale të promovimit të muzikes në tregun ballkanik.

”Për momentin, ky është një shkëmbim përvoje dhe vetëm koha do të tregojë nëse është diçka e mirë që kompozitorët shqiptarë të shkruajnë për ata të huaj dhe anasjelltas”.

Xhordan (Джордан) është një tjetër këngëtar, nga më të talentuarit në Bullgari. Përfaqësuesi tipik i pakicave cigane, për krijimin e këngës “Иска ли ти се”  – “A doni të”, ai zgjodhi bashkëpunimin në terrenin shqiptar.

Nëpërmjet muzikës, ai flet për gjendje të bukura dhe të trishtuara, siç do të ishte vendi i tij pa  “gipsies”,  jo aq njerëzor dhe i qetë.  Çfare ka të përbashkët kjo frymë muzikore në qarqe për të cilat po flasim?

”Në botën e muzikës, i gjithë Ballkani është i njëtrajtshëm. Modet muzikore që përdoren nga Shqipëria dhe deri në Slloveni janë shumë të ngjashme, aq sa mund të thuhet se janë të njëtrajtshme”, shtoi Asllani.

Por, sa do ta gjejë vehten muzika shqiptare në këtë sfond multinacional. Asllani tregohet realist  për pozicionimin e saj, përtej tentativave sporadike me të cilat ndeshemi tani.

”Vitet e fundit ka qenë disi e turbullt situata e muzikës në Shqipëri, por jam i sigurt se ajo do të gjejë dhe duhet të gjejë shpejt pozicionimin e saj në tregun e muzikës ballkanike”.

Nëse ka dyshime për kualitetin e kësaj performance, ajo që “zë” vend në të tilla raste, është përfitimi.

Asllani i rikthehet edhe një herë “situates së krizës” që po kalon muzika në pergjithësi dhe komercializimit te saj, kur fazat eksploruese të zhanreve muzikore tashmë janë konsumuar:

”Të ashtuquajturat kopjime apo bashkëpunimet do të shtohen, pasi jetojmë në një botë që po shkon drejt globalizimit. Kjo do t’a bëjë shumë të kërkuar tregun shqiptar, jo vetëm për cilësinë e tij, por edhe për folklorin e rrallë që kemi”.

Këto krijime, në një farë mënyre, bëhen ambasadorë të muzikës sonë, duke ndjekur tjetër trajektore. Kjo lloj krijimtarie, përfillet tashme në tregun që për 40 vjet u konsiderua i ndaluar…

Top Channel