Durrës, përvjetori i pushtimit fashist

07/04/2011 17:40

Ceremonia në përkujtim të 72-vjetorit të rezistencës shqiptare ndaj pushtimit italian ka përcjellë dhe mesazhe për një fushatë qytetare, larg tensioneve të forta politike.

Dy rivalët politikë kanë shtrënguar duart në ceremoninë e përvitshme të organizuar nga bashkia e Durrësit, ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë të pushtetit vendor, përfaqësues të partive politike të majta e të djathta dhe deputetë.

“Kjo datë shënon aktin më madhor patriotik, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica, nga ata që ngritën lartë dinjitetin kombëtar dhe e rreshtuan Shqipërinë në aleancën atnifashiste”, ka deklaruar Vangjush Dako, kandidati i PS në Durrës.

Më pas të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ndërsa kandidatët për bashkinë e Durrësit përcollën mesazhet e tyre në këtë ditë.

“Dita e parë e okupacionit është dhe dita e parë e fillimit të rezistencës kundër regjimit fashist dhe është shumë mirë që ajo filloi nga Durrësi. Ne kujtojmë të rënët për lirinë e popullit”, u shpreh kandidati demokrat Ferdinand Xhaferraj.

72 vjet më parë, Durrësi u shndërrua në të parin qytet të rezistencës shqiptare ndaj fashizmit, duke regjistruar edhe dëshmorët e parë të luftës, në krye të të cilëve ishte Mujo Ulqinaku.

Top Channel