Emisioni i pasdites në “Top Channel” u rikthye sot në gjenezën e Tiranës që po përgatitej të shndërrohej në një kryeqytet dhe metropol i të gjithë shqiptarëve.

Kjo seri e emisionit vizitoi Tiranën e harruar dhe prezente të viteve 1920-30, në një kohë kur vila të bukura e tepër të veçanta nisën të mbinin në të gjithë qytetin.

Shumë prej tyre, edhe pse midis një “pyllnaje” të ndërtimeve shumëkatëshe, vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e ndryshme të qytetit, si një dëshmi e një kohe kur banesat e personalizuara ishin në modë.

Këto ndërtime, padyshim që ndryshuan imazhin e Tiranës së shekullit 18–19. Të frymëzuar nga arkitektura perëndimore, arkitekët e rinj si Qemal Butka, Andon Lufi etj, ideuan të parat vila brenda konceptit modern, një pjesë e të cilave vazhdojnë të mbijetojnë edhe sot.

Një prej tyre është edhe banesa e Petrelasve. Në kryqëzimin e Rrugës së Barrikadave me atë të Dibrës, kjo banesë e ndërtuar rreth fundit të shekullit 18 dhe fillimit shekullit 19 ruan edhe sot veçoritë e saj karakteristike.

Studiuesi i banesave popullore në Shqipëri dhe Kosovë, Emin Riza, tregon për elementët e veçantë arkitekturorë të kësaj ndërtese.

”Vila e Petralasve është rasti I rëndësishëm, një shembull I banesave tradicionale tiranase të fillimit të shekullit të XX. Ajo është ndërtuar në vitin 1924 dhe është një adaptim I banesave tradicionale dhe të mëparshme të qytetit”, deklaroi specialisti.

Një nga ato banesa që mund të konsiderohet si më të vjetrat është vila e quajtur “Sarajet e Toptanëve”. E ndërtuar diku rreth mesit të shekullit XIX, kjo godinë është një kompleks i vërtetë banimi.

Gjatë periudhës së Mbretit Zog dhe pushtimit, kjo banesë ka shërbyer si bibliotekë. Megjithatë, nuk ka të dhëna të sakta për funksionet që ka patur më përpara kjo vilë, si muze apo shkollë.

Në periudhën e diktaturës, në këtë godinë u vendos Instituti i Monumenteve të Kulturës, për t’u kthyer më vonë tek ish-pronarët. Sa i përket stilit arkitekturor që përfaqëson kjo ndërtesë, studiuesi Riza kundërshton idenë se kjo ndërtesë është e stilit otoman.

”Të thuash se është e stilit otoman, është një diletantizëm. Fakti se kemi qenë të pushtuar nga perandoria otomane, nuk do të thotë se banesa është e atij stili”.

Një nga vilat më të vjetra në kryeqytet është edhe ajo e Tafajve. E ndërtuar në vitin 1927 nga inxhinier Pashollari, kryearkitekt i Bashkisë së Tiranës, kjo vilë paraqet stilin e një shtëpie tipike qytetare. Sipas studiuesit, ”Vila Tafaj” karakterizohet nga një element i ri për kohën kur është ndërtuar, që është lidhja e drejtpërdrejt në rrugë, pa mur rrethues dhe oborr.

”Kompozimi i saj është tepër i kujdesshëm dhe simetrik, dritaret janë me forma dhe madhësi të ndërtuara me shumë kujdes. Është një kompozim i ekuilibruar, rreptësisht simetrik dhe me një vend të rëndësishëm të hapësirave të dritareve, të montuara rreth tyre me suvatime, forma standarte që i kishin ustallarët”, shtoi Riza.

Në hyrje të Rrugës së Durrësit gjendet një nga vilat më të bukura që i kanë rezistuar kohës. Kjo banesë e ndërtuar në vitin 1931 ka qenë pronë e Abedin Libohovës. Përveç se ka shërbyer si godinë banimi, në këtë ndërtesë janë vendosur përfaqësi diplomatike të vendeve të ndryshme. Në këtë godinë sot është e vendosur Ambasada e Selisë së Shenjtë, Vatikanit.

Riza e cilëson: ”Një arritje e goditur e arkitekturës, pamja kryesore, por edhe pamja anësore, për vendin që ka, dikur ajo ka qënë rrugë, por në kohë të Zogut u zgjerua rruga e Durrësit dhe duke qenë afër qendrës ka një trajtim që i reziston kohës”.

Një nga vilat më të njohura në Tiranë është ndërtesa e njohur si ish-Ambasada Jugosllave. E ndërtuar në vitin 1931, kjo banesë ishte pronë e familjes së doktorit Qemal Jusufatit.

Kjo godinë, mbas Luftës së Dytë Botërore ka qenë Legata Turke. Për sa i përket rrymës aritekturore, studiuesi Riza e kundërshton idenë se kjo banesë qytetare tiranase i përket stilit të theksuar neo-venecian.

”Është një vilë që lë përshtypje të bukur për këdo që e shikon, ndodhet buzë rrugës dhe dritaret mbulohen me një element siç është harku i mprehtë, por nuk mund të thuhet vetëm për këtë se është pjesë e stilit venecian”.

Me një stil ndryshe nga të tjerat paraqitet vila “Fortuzi”. Themelet e kësaj vile u hodhën në vitin 1931, në njërën nga lagjet më të vjetra të Tiranës. Ajo ishte pronë e Omer Fortuzit, kryebashkiak i Tiranës.

”Kjo vilë është me të vërtetë ndryshe nga të tjerat. Për herë të parë shihet se si arkitektë të rinj paraqitën idetë e tyre, me një personalitet dhe fantazi të re, të ndryshme nga stilet e përdorura deri atëherë. Në këtë vilë, duket qartë përpjekja e arkitektit për të bërë diçka të veçantë”.

Këto janë vetëm gjashtë nga shumë vilat e bukura të viteve ’30 që u ndërtuan nga aristokratët e rinj shqiptarë që po fillonin të manifestonin fuqinë e tyre në vitrinën e re, kryeqytetin shqiptar.

Teksa shumë prej tyre i kanë shpëtuar kohës, disa të tjera mbeten vetëm në fotografi. Sepse ndërkohë, kemi hyrë në epokën e qiellgërvishtësve.

Top Channel