Tatimet: Amnistia fal 600 milionë USD borxhe

06/04/2011 08:35

Projektligji i amnistisë fiskale ka mbërritur këto ditë në Kuvendin e Shqipërisë dhe pritet të diskutohet nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë në fillim të javës tjetër.

Sipas “Shqip”, propozimi i Ministrisë së Financave, ndër të tjera prek edhe faljen e detyrimeve, bashkë me gjobat, për një kategori të caktuar biznesi, dhe për periudha të ndryshme kohore.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, borxhi i biznesit kundrejt administratës tatimore deri në fund të muajit mars 2011, ishte rreth 57 miliardë lekë, ose gati 600 milionë dollarë, shifër kjo tepër e lartë.

Sipas administratës tatimore, me zbatimin e amnistisë fiskale, i gjithë ky borxh, ku futen detyrimet, gjobat dhe kamatëvonesat, falen tërësisht, në rast se biznesi merr përsipër të zbatojë kushtet e vendosura nga qeveria.

Vetëm në dy vitet e fundit, borxhi tatimor është rritur dyfish. “Borxhet e tatimpaguesve të evidentuara në regjistrat e administratës tatimore deri në fund të vitit 2008 rezulton 28 miliardë e 900 milionë lekë”, thuhet në studimin e kryer nga Ministria e Financave.

Po çfarë propozon amnistia e qeverisë? Projektligji fal të gjitha detyrimet tatimore të evidentuara në regjistrat tatimorë deri më 31 dhjetor të vitit 2008, pa kushte.

“Amnistia fal të gjitha detyrimet tatimore të personave fizikë, të regjistruar si biznes i vogël, të mbetura të papaguara dhe që i përkasin periudhës tatimore deri më 31 dhjetor të vitit 2010, si dhe të gjitha detyrimet tatimore të individëve”, thuhet në projektligjin e amnistisë.

Pa u takon bizneseve të mëdha, pas rivlerësimit të bilancit, do të paguajnë 6 për qind të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme dhe 7 për qind për makineri e pajisje.

Sa i takon deklarimit vullnetar, neni 22 thotë se, biznesi për periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2010, ka deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimi real, ka të drejtë që brenda periudhës së veprimit të këtij ligji, të vetëdeklarojnë detyrimet reale tatimore përpara se ndaj tyre të ketë filluar një kontroll tatimor i administratës tatimore.

Top Channel