Meta, takim me elektoratin për 8 majin

06/04/2011 18:00

Kryetari i LSI, Ilir Meta ka deklaruar se drejtuesit e rinj të pushtetit vendor, që sipas tij do të vijnë më 8 maj nga radhët e Aleancës për Qytetarin, do t’i japin zgjidhje problemeve të Tiranës.

Në një takim me simpatizantët e partisë së tij në ambjentet e gjelbërta të liqenit artificial, Meta ka vlerësuar fillimisht kandidaten e LSI për njësinë më të madhe bashkiake të kryeqytetit, Erisa Xhixho, dhe më pas kandidatin e PD për bashkinë, Lulzim Basha.

“Falenderoj Erisën, sepse ajo mori iniciativën që për ndryshimin e Tiranës të kandidojë dhe të fitojë në njësinë bashkiake më të madhe të kryeqytetit. Sepse zgjedhjet në 8 maj janë për të ardhmen e Tiranës dhe jo për të kaluarën, ndaj Tirana do votojë për ata të rinj që do ta cojnë përpara, që do zgjidhin problemet e akumuluara nga keqqeverisja e deritanishme”, ka deklaruar Meta, i cili më pas ka bërë lobim për kandidatin e aleancës, Lulzim Basha.

“Ky është qyteti i të rinjve dhe të rejave, sepse është qyteti ku ju ëndërroni dhe jetoni. Ndaj, ju do të votoni për ata të rinj dhe të reja që e duan qytetin e tyre, ju do votoni për një të ri që sjell një standart të ri jo vetëm në këtë fushatë, një standart europian të vizionit, sjelljes, sikurse është kryetari i ri i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Sepse Tirana ka nevojë për një kryetar që e do atë”, ka pohuar Meta.

Kreu i LSI ka shprehur bindjen e tij se Basha do t’u japë zgjidhje problemeve të Tiranës, në vecanti papunësisë, si dhe ka akuzuar kryetarin aktual të bashkisë, Edi Rama, se ka lënë mënjanë kryeqytetin për interesat e tij personale.

Top Channel